VIDEO/ Goditet grupi i trafikantëve të armëve Shqipëri-Kosovë, 6 personat u rrethuan tek një karburant

Një grup trafikantësh armësh nga Shqipëria, që i dërgonin ato ilegalisht në Kosovë, u godit nga Policia pas një hetimi disamujor që u kurorëzua me operacionin “Rrugëtimi”.

Gjashtë persona u arrestuan në operacionin e shtrirë në tre qarqe, Kukës, Durrës dhe Dibër nga Policia, në bashkëpunim me  Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Të arrestuarit janë:

U. H, 27 vjeç, banues në Dibër

Rr. S, 28 vjeç, banues në Dibër

B. N, 33 vjeç, banues në Durrës

H. H, 59 vjeç, banues në Durrës

B. SH, 24 vjeç, banues në Bulqizë

K. B., 61 vjeç, banues në Fushë-Krujë.

Të gjitha janë akuzuar për veprën penale "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", kryer në bashkëpunim.

Ata u kapën në ambientet e jashtme të një pike karburanti me një automatik, një pistoletë “Glock”, sasi municioni luftarak si dhe me shuma prej 222.000 lekësh dhe 710 eurosh.

Policia tha se po vazhdon hetimin për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në veprimtarinë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Kosovës.

Dosja e tyre i kaloi Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.