Pollo: Me 'pasaportat e florinjta' të Ramës, Shqipëria si shtet zuzar, rrezikon liberalizimin e vizave!

Politikani Genc Pollo e ka konsideruar si tejet të rrezikshëm për vendin, nismën e qeverisë shqiptare për të aplikuar skemën e shtetësisë përmes investimit,  një projekt ky që njihet ndryshe si “pasaporta e artë” dhe që është kritikuar prej kohësh nga Bashkimi Europian ndaj disa shteteve që ndërmorën shitjen e pasaportave të tyre për shtetasit e huaj të pasur kundrejt investimeve në atë shtet.  

Polo gjykon se “me “pasaportat e florinjta” Edi Rama jo vetëm po e paraqet Republikën si shtet zuzar që shkel marrëveshjet. Ai po çon drejt anullimit arritjen e madhe të qeverisë së PD-së në vitin 2010: liberalizimin e vizave, pra udhëtimin lirisht në Europë.

Po ashtu lëshimi i pasaportave nga një firmë private do të thotë se shtetas shqiptarë mund të bëhet edhe derri e dosa nga çdo vend  i botës; edhe nga shtete jomiqësore me ne dhe me BE-në.

Mjafton që të paguajnë e të lyejnë “rrotën”.  Kjo ka ndodhur pak vite më parë edhe në dy-tre shtete të BE-së, të cilët e anuluan me urgjencë mbasi u plasën skandale korrupsioni.  Rrezik sigurie e dëm reputacioni!”- nënvizon Genc Pollo.