Hijet që vrasin nëpër autostrada: A po prodhon laboratori i krimit, një Duman të ri?

Nga Fatjon Gjinaj.

Të paktën 4 atentate të bujshme që kanë tronditur vendin - duke nisur me hedhjen në erë me tritol të Aleksandër Sadikajt, atentatin mafioz dhe çnjerëzor në mbikalimin e Fushë-Krujës që i kushtoi jetën Diklen Vatës, Besmir Hoxhës e Brilant Martinajt, vrasje e Klisman Preçit në Milot e plagosjen e Ylli Brahimit  dhe në fund atentatin me dy viktima të enjten në Vlorë - kanë tronditur jo vetëm rendin e qetësinë publike, por edhe themelet e Policisë së Shtetit.

Kjo e fundit po gjykohet në opinionin publik si "mbledhëse e kufomave", por përveç kësaj, "në zyrat e drejtuesve të kësaj strukture, po lëviz një mjergull në mes të së cilës po kërkohet mbase edhe një "Nuredin Duman i ri", thotë një burim në anonimat.

"Ngjarja e Fushë-Krujës, me atë të Milotit nuk ka më dyshim të jenë të lidhura me njëra-tjetrën, lidhje “e natyrshme” konsiderohet edhe në gjuhën e grupeve dhe bandave kriminale, për larje hesapesh e shpesh për hakmarrje, por një lidhje e këtyre të dyjave shihet edhe me dy të tjerat, atentatin ndaj Aleksandër Sadikajt dhe vrasjen e dyfishtë në Vlorë.

E përbashkëta është paraja, shumë para për të vrarë dhe hequr qafe anëtarë grupesh rivale, persona me të cilët janë në hasmëri.

Është bërë praktikë tashmë që për vrasje të tilla të sofistikuara, të ngremë dyshime që bëhen nga vrasës me pagesë. Por pyetja që mbetet ende e pazbardhur, pavarësisht dyshimeve është se kush janë këta qitës, a i përkasin të njëjtit rrjet dhe a kanë dikë në krye?

Ka një koinçidencë të frikshme se si vrasjet janë kryer në radhë. Për këdo që ka vrarë, ngrihet dikush dhe e vret atë ose familjarë të tij, pa përjashtuar rrethin shoqëror", vijon burimi policor nga Drejtoria e Përgjithshme. 

Por me aq sa më sipër, edhe nëse jemi përballë një fakti të tillë, pra një "Dumani të ri", që merrte porosi dhe para, organizonte dhe drejtonte “operacione asgjësimi”, ai nuk ishte i vetëm. Ata që vinin pas dhe rreth ishin përgjithësisht të rinj të përfshirë kryesisht në vepra të lehta penale më parë, dhe në disa raste të mbetur trokë.

Ata nuk kishin prekur ndonjëherë shuma të tilla si 50 – 100 – 150 – 200 mijë euro, ndërsa u bënë shumica prej tyre, persona me influencë, me kapital e pasuri, me makina luksoze e "respekt në lagje".

Natyrisht, duke qenë 'hyzmeqarë' të kokave të krimit dhe të pasanikëve që hapnin thesin për të paguar ekzekutime, s’e kishin të vështirë të siguronin infrastrukturë, armë dhe makina që digjeshin pas çdo ekzekutimi.

"Disa prej këtyre personave që përfshihen, jetojnë edhe jashtë. Nuk duhen parë të shkëputura sado lidhje të kenë apo të mos kenë, laboratorët e armëve me vrasësit që përgjakin rrugët. S'është çudi më që pas çdo zbulimi të arsenaleve, qëndrojnë persona me precedentë të mëparshëm në armëmbajtje pa leje apo trafik droge. I tillë ishte dhe rasti i fundit në Mëzes që u zbulua të enjten", thotë burimi policor.

I vetmi që i ka shpëtuar atentateve të mësipërme është Ylli Brahimi, që njësoj si herën e parë që u shpëtoi plumbave, kyçi gojën, duke ripërsëritur se nuk ka dijeni mbi autorët, nuk i njeh dhe nuk ka konflikte.

Në Spitalin e Traumës ai ende po i nënshtrohet rikuperimit "dhe frika më e madhe qëndron tek fakti se këta lloj elementësh, pasi ia hedhin një sulmi duke lënë pas vuajtjet shëndetësore, nuk konsiderohen si persona “të shëruar".

Ata janë gati të ringrihen dhe të hapin ose plagë të reja duke u hakmarrë, ose të bien vetë për herë të disatë, pre e "hasmëve".

Të 4 rastet në fjalë, janë të pazbardhura, dhe ndoshta një "Duman i dytë" duhet të bierë pre e një atentati për të rënë në gjurmët e ushtarëve “të tij"