Sillnin kanabis me postë nga Anglia në Shqipëri, arrestohet ‘postieri’ dhe porositësi
Një linjë e re trafiku droge, ajo e dërgimit me postë nga Anglia në Shqipëri, më saktë në postën e Durrësit, është zbuluar nga Policia e Shtetit dhe si rrjedhim, janë vënë në pranga dy persona: “postieri” që po e çonte kutinë me kanabis në Tiranë si dhe porositësi i lëndës narkotike. Kjo është hera e dytë këtë verë që është zbuluar ky trafik.
Policia e Shtetit njoftoi se në bashkëpunim me strukturat e sigurisë së Postës Shqiptare dhe Prokurorinë e Tiranës, bëri të mundur operacionin “Green mail 2”, si rezultat i të cilit u bë e mundur arrestimi në flagrancë i dy të rinjve: M.V, 18 vjeç dhe D.Sh, 18 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Tek Rrethrrotullimi i Plepave në Durrës, policia ka kontrolluar taksinë me të cilën udhëtonte drejt Tiranës, D.Sh, ku gjeti 2 pako kartoni me 5 qese me kanabis brenda, që peshonin së bashku 340 gramë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pakot kanë ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri dhe se porositësi i tyre ishte M.V, i cili kishte dërguar 18-vjeçarin D.Sh për t’i marrë pakot nga vendi i mbërritjes në Durrës për t’ia sjellë në Tiranë.
Tashmë po vijon hetimi nga Njësia për Narkotikët dhe Trafiqete Policisë së Shtetit, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të.
Dosja e çështjes i kaloi Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ky është operacioni i dytë policor i zhvilluar brenda 3 muajve kundër trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës nga Mbretëria e Bashkuar.
Operacioni i parë policor i koduar “Green mail” u zhvillua më 30 qershor 2022 dhe si rezultat u sekuestruan rreth 1.3 kilogramë kanabis dhe u vunë në pranga 2 shtetas.