Zyrtare/ Fitoi titullin kampion në Durrës, Teuta rikthen në skuadër mesfushorin

Pas një eksperiencë në Kosovë, ku ishte pjesë e Prishtinës, Erando Karabeci është rikthyer te Teuta në Kategorinë Superiore.

Duke nisur nga kjo e enjte, lojtari do të bashkohet me skuadrën e Renato Arapit. 33-vjeçari arriti që të fitonte titullin kampion me “Djemtë e Detit” në edicionin 2020-2021, ndërsa me Tiranën fitoi një titull kampioni, një Kupë të Shqipërisë dhe një Superkupë të Shqipërisë.

Teuta beson se me përvojën që ka Karabeci mund të shtojë cilësinë në mesfushë e të jetë një ndihmë e madhe për skuadrën edhe për faktin se e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar.

Teuta në merkaton verore është treguar e kujdesshme duke mos bërë shumë afrime, ndërsa do të besojë këtë edicion dhe te lojtarët e rinj.