Përleshje në dhomat e zhveshjes, Boca Juniors dënon dy lojtarët

Boca Juniors nuk po kalon një moment të mirë. Mungesë rezultatesh, vendi i 12-të në kampionat dhe sherr mes lojtarëve të “Xenezies”. Sfida e fundit përballë Racing në transfertë, përfundoi në barazim 0-0.

Në pushimin mes pjesëve, Dario Benedetto, sulmuesi kryesor i ekipit argjentinas, ka shpërthyer ndaj shokëve të skuadrës, duke i akuzuar se po luanin dobët. Ndërkohë që të gjithë kishin ulur kokën, njëri prej tyre nuk duroi më.

Qendërmbrojtësi nga Peruja, Carlos Zambrano i është kthyer Benedettos duke e akuzuar për “thatësirë” golash, fjalë që kanë çuar në kapjen me duar mes tyre. Grushtet nuk kanë munguar, edhe pse shokët tentuan t’i ndanin.

Lojtarët zbritën në fushë në pjesën e dytë me shenja në fytyrë, teksa pamjet e përplasjes së ashpër mes tyre u bënë virale në rrjetet sociale. Drejtuesit e Boca Juniors kanë reaguar dhe kanë vendosur të pezullojnë dy sherrxhinjtë me nga dy ndeshje.

“Boca Juniors, pas ngjarjeve që ndodhën të dielën e kaluar, informon se lojtarët Dario Benedetto dhe Carlos Zambrano nuk do të jenë pjesë e ekipit të parë në dy ndeshjet e ardhshme”.