Para se të shporreni, kthejini lekët që i takojnë popullit!

Regjimi, përpara se t’i provokojë me përjashtim liderët e opozitës, t’i kthejë paratë e vjedhura popullit!

Një nga karakteristikat e shteteve që shkasin drejt diktaturës është përpjekja për të goditur liderët e opozitës me përjashtim nga jeta politike e vendit.

Ky fenomen është tepër i rrallë në demokracitë perëndimore, por është fenomen i zakonshëm në vende si Etiopia, Sudani, Republika e Kongos, Haiti, Maldive, ku liderët e opozitës janë akuzuar për prishje të rendit kushtetues e deri për terrorizëm.

Venezuela është rasti klasik për vendin tonë, ku udhëheqësit e saj Hugo Chavez dhe Maduro ngjajnë shumë me mënyrën e veprimit me autokratin e Shqipërisë, Edi Rama.

Chavez kërkoi reformën në drejtësi, por e shpërndau Gjykatën e Lartë kur ajo i doli kundër; bashkëbisedonte direkt me popullin dhe ishte personifikim i institucioneve të shtetit; e kthente politikën e jashtme të vendit në funksion të interesit të pushtetit të tij. Kur Parlamenti kërcënoi regjimin, pasardhësi i tij dënoi për terrorizëm 11 liderët e opozitës për ti larguar nga politika.

Shembuj të tillë tregojnë qartë degradimin e pushtetit, kthimin e vendit drejt një diktature të re dhe nevojën që ndjen regjimi për të shtyrë kohën e llogaridhënies përpara popullit.

Rasti i kryetarit të PD-së, Dr. Berisha, për ‘non-grata’ është një rast sa qesharak aq edhe i turpshëm. Regjimi vetë paraqiti faktet, vetë shtyn drejt vendimit dhe tani kërkon këtë veprim ta materializojë me vetë monstruozitetin e atyre që kanë krijuar. Eksperienca të tilla mund të ndodhin në Turqi, por demokracia e orkestruar është e vështirë të pranohet nga një popull që beson ndryshe.

Rasti i kryetarit të Partisë së Lirisë, zotit Meta,është akoma më skandaloz, duke falsifikuar dokumentet,duke përdorur institucionet e pavarura për të krijuar presion ndaj një lideri që ka përkrahje të madhe popullore.

Në thelb, veprime të tilla tregojnë se sa në dëshpërim është klika që qeveris vendin, një klikë që vjedhjen e ka kthyer në art, shtetin ligjor në pronë të autokratit.

Ky reagim in extremis vjen në kohën kur populli shqiptar po njihet me hollësi për aferat korruptive të shekullit, aferën e incineratorëve dhe aferën e Portit të Durrësit, afera që kanë ‘qelbur’ gjithë Shqipërinë dhe kanë ndezur zemëratën popullore.

Mesazhi është i qartë për qeverinë: Kthejini paratë e vjedhura popullit, ktheni legjitimitetin e institucioneve dhe largohuni nga pushteti për t’ia kthyer sërish popullit shqiptar. Por përpara se të shporreni, kthejini lekët që i takojnë popullit!