FOTO/ Pashallarët e Policisë! Kush janë ata që kanë marrë me ‘tapi’ postin e drejtorit

Me të ardhur në pushtet dhe në detyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri vendosi që të rikthejë në polici, disa prej drejtuesve të saj, para vitit 2005. Shumë prej tyre ishin larguar dhe kur PS fitoi zgjedhjet, u kthyen në polici për të marrë atë që u takonte, për fushatën që kishin bërë.

Të kthyerit rishtas në Policinë e Shtetit do të merrnin të gjithë poste të larta dhe nuk do të lëviznim më prej tyre. Rasti më i veçantë është ai i kreut të Policisë së Durrësit, Perlat Çullhaj, i cili ka marrë detyrën në 9 tetor 2013 dhe nuk ka lëvizur më nga ky post.

Partia Demokratike e akuzon për të lidhur me krimin dhe me kanabisin, por ai sërish nuk është shkarkuar. Akuza kanë ardhur edhe nga LSI, nga ministri Lefter Koka që e ka akuzuar me emër atë si të lidhur me kanabisin, por sërish nuk është larguar.

Në fakt sot nuk është më ministër, Saimir Tahiri, por askush nuk i prek drejtorët e policive që në fakt janë kthyer në ‘pashallarë’ të qarqeve ku janë.  

Nisur nga eksperiencat e mëparshme, drejtorët e policive lëvizeshin pikërisht për të mos krijuar një habitat të tillë dhe për të ndryshuar ambient, ndërsa në 4 vitet e qeverisjes së PS-së ata maksimumi kanë lëvizur nga njëra drejtori në tjetrën dhe jo shumë larg, por tek ato fqinje.

Më poshtë keni edhe drejtorët e të gjithë qarqeve dhe detyrat e tyre:

Ervin Hodaj, Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë - Në 9 tetor 2013 emërohet drejtor i Policisë së Fierit, në 27 prill 2015 emërohet në Tiranë.

Perlat Çullhaj, Drejtori i Policisë së Qarkut Durrës - 9 Tetor 2013. Që nga kjo ditë nuk ka lëvizur nga detyra e drejtorit  të policisë së qytetit bregdetar.

Jael Çela, Drejtor i Policisë së Qarkut të Vlorës - 1 shtator 2014 emërohet drejtor i policisë në Vlorë, pas një eksperience si shef komisariati në Durrës.

Arianit Arapi, Drejtor i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës - Në 26 gusht 2015 merr postin që ka dhe sot. Më parë ishte drejtor i forcës operacionale.

Ajet Zyberi, Drejtor i Policisë së Qarkut të Korçës - Në 26 Gusht 2015 merr detyrën që ka tani, pasi më parë mbante postin e drejtorit të Policisë Lezhë.

Edmond Tarkaj, Drejtor i Policisë së Qarkut të Dibrës - Në 26 gusht 2015 merr këtë detyrë, pasi më parë që nga 9 tetori 2013 ishte drejtor i policisë Korçë.

Perlat Vatoci, Drejtor i Policisë së Qarkut të Kukësit - Në 9 tetor 2013 emërohet drejtor i policisë së Dibrës në 1 shtator 2014 kalon në Kukës, në të njëjtin post.

Fatmir Lleshi, Drejtori i Policisë së Qarkut të Beratit - Në 14 qershor 2016 merr këtë detyrë, pasi më parë ishte shef i Komisariatit 5 në Tiranë. Ndër të paktët që ka një kohë kaq të shkurtër në këtë post të lartë.

Neritan Nallbati, Drejtor i Policisë së Qarku të Fierit - Në 9 tetor emërohet drejtor i policisë Elbasan. Në 27 prill 2015 transferohet në të njëjtën detyrë në Fier.

Alfred Çepe, Drejtor i Policisë së Qarku të Elbasanit – Në 27 prill 2015 merr detyrën që mban aktualisht. Më parë mbante detyrën e kreut të Antikorrupsionit në Policinë e Shytetit.

Alban Çela, Drejtor i Policisë së Qarku të Shkodrës. Është më mediatiku nga të gjithë. Ka ndërruar 3 drejtori, nga Kukësi, në Lezhë dhe tani në Shkodër. Ka pasur edhe një sherr me grushte me shefin e Krimeve në Policinë e Kukësit.

Ermal Muça, drejtor i Policisë Qarkut të Lezhës. – Në datën 21 tetor 2016 emërohet në detyrën që mban edhe sot. Në 5 maj 2015 do emërohej zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës. Më parë ai mbante postin e zv/drejtorit të Krimeve në Policinë e Vlorës, që nga tetori i 2013.

Drejtoritë e Policisë së Kufirit

Kastriot Skënderi, Drejtor i Kufirit të Policisë Tiranë - Në 26 gusht 2015 nga Drejtor i Policisë së Gjirokastrës, vjen në postin që mban ende dhe sot.

Besmir Qebini, Drejtor i Kufirit të Policisë së Vlorës - Në 30 janar 2017 Saimir Tahiri e emëron në detyrën që ka dhe sot. Nga janari 2016, ai mbante postin e zv/drejtorit të Doganave. Në 22 gusht 2014 bëhet shef i Policisë rrugore në Tiranë.

Boge Bodini, Drejtor i Kufirit të Policisë së Durrësit - Një emër jo shumë i njohur, do të emërohej në këtë post që prej tetorit 2013.

Qerim Aliaj, Drejtor i Kufirit të policisë së Shkodrës - Në 8 shkurt 2016 do emërohej në detyrën që mban dhe sot. Vjen nga Gjirokastra ku edhe atje ishte drejtor kufiri

Arjan Feri, Drejtor i Kufirit të Policisë së Gjirokastrës - Në 8 shkurt 2016 emërohet aty ku ndodhet dhe sot. Më parë ishte në Policinë e Shtetit, për burimet njerëzore.

Gëzim Zhupa, Drejtori i Kufiri të Policisë së Korçës - Do të marrë këtë post në 30 janar 2017, pasi ishte emëruar që në shkurt 2014 në Vlorë, në të njëjtën drejtori.

Afrim Tafa, Drejtor i Kufirit të Qarkut Kukës - Në datën 14 qershor 2016 do të lejë detyrën e drejtorit të Policisë Berat, për të marrë detyrën e kryepolicit kufitar të Kukësit.

Përgatiti SYRI.net