Ten Hag jep ‘ok’, Ronaldo mund të largohet nga Manchester United

Tani edhe Erik ten Hag ka ndryshuar mendje. Sipas “The Times”, pas fillimit katastrofik të sezonit nga Manchester United, pozicioni i menaxherit në lidhje me kërkesën e Cristiano Ronaldos për t'u larguar në këtë merkaton, ka ndryshuar.

Trajneri holandez është i hapur ta lërë të shkojë menjëherë portugezin, për sa kohë që “Djajtë e Kuq” do ta zëvendësojnë me një sulmues tjetër.

Sipas asaj që raporton “Talk Sport”, edhe klubi është i gatshëm për negociata me këdo që kërkon ta blejë.

“Djajtë e Kuq” janë gati që të presin çdo ofertë për të dhe të bisedojnë me klubet që janë të interesuara.

Kjo gjë duket se ka ardhur nga sjellja e portugezit, i cili ka kërkuar me ngulm që të largohet nga Mançester Junajtid, pasi kërkon që të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.