Shoigu: Rusia nuk ka nevojë të përdorë armë bërthamore në Ukrainë

Rusia “nuk ka nevojë” të përdorë armë bërthamore për të arritur objektivat e saj në Ukrainë, tha të martën ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu. 

“Nga pikëpamja ushtarake, nuk ka nevojë të përdorim armë bërthamore në Ukrainë për të arritur qëllimet tona”, u tha Shoigu të pranishmëve në një konferencë mbi sigurinë ndërkombëtare në Moskë.

“Qëllimi kryesor i armëve bërthamore ruse është të pengojë një sulm bërthamor, përdorimi i tyre është i kufizuar në rrethana emergjente, të cilat përcaktohen në dokumentet udhëzuese ruse që janë të hapura për publikun”.

"Në këtë sfond, në media po përhapen spekulime për përdorimin e supozuar të armëve bërthamore taktike ruse gjatë një operacioni të posaçëm ushtarak ose për gatishmërinë për të përdorur armë kimike. Të gjitha këto informacione janë një gënjeshtër absolute", shtoi Shoigu.