VIDEO-SYRI TV/ Skandal gjatë vizitës së Begaj në Kosovë, Presidenti refuzon takimin në selinë e LDK

Presidenti Bajram Begaj bëhet shtetari i parë shqiptar që refuzon të shkojë në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bërë që të dështojë takimi i planifikuar me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Lajmi u konfirmua nga vetë zyrtaret e LDK-së të cilët shprehen keqardhjen për refuzimin e Presidentit Begaj për të shkuar në selinë qendrore të partisë. LDK-ja e konsideron të pazakontë qasjen e Begajt dhe nga ana tjetër thekson se zyrat e kësaj partie do të jenë gjithmonë të hapura për zyrtarët e shtetit shqiptar.

Nga SYRI TV

Ashtu siç u paralajmërua një ditë më parë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka refuzuar të takohet me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku dhe drejtuesit e tjerë të kësaj partie në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Takimi i planifikuar për tu zhvilluar rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm ka dështuar për shkak të insistimit të Presidentit Begaj për të mos shkuar në seline e LDK-së, partisë së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Lajmi u konfirmua nga vetë zyrtarët e LDK-së të cilët në një reagim për mediat në Prishtinë evidentojnë faktin se Bajram Begaj është shtetari i parë shqiptar që refuzon të shkojë në selinë qendrore të LDK-së.

‘Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Për dallim nga krerët insitucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeminisrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qëndrore të saj’, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK e konsideron qasje të pazakontë refuzimin e Begajt për t’i takuar drejtuesit në zyrat e partisë.

‘Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë. LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar, siç ka qenë përherë’, thuhet në reagimin e bërë nga LDK-ja.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e Presidentit Bajram Begaj, që nga moment kur mori detyrën, por udhëtimi i tij 2 ditor drejt Prishtinës, do te shënjohet nga refuzimi skandaloz që ai i bëri takimit në selinë e partisë më të vjetër dhe më të rëndësishme të historisë politike të Kosovës.