Plagosja e inspektorit të IMT/ Adriana Kalaja: Qytetarit i shembën shtëpinë pa pritur vendimin e Gjykatës

Një ditë më parë, në rrugën 'Todi Shkurti' në Tiranë, pronari i një banese plagosi me armë zjarri inspektorin e IMT, Ilirjan Gavelli pasi ky i fundit i shembi shtëpinë. 

Avokatja Adriana Kalaja, në një lidhje me Skype për 'Edicionin e Pasdites' në Syri Tv me gazetaren Megi Fagu deklaroi se qytetari Qani Muça kishte dërguar në Gjykatën Administrative çështjen e banesës dhe priste shqyrtimin ne themel të dosjes. 

Kalaja sqaron se Kodi Civil parashikon që një banesë e ndërtuar pa leje për një periudhë mbi 20 vite, bëhet pronë e qytetarit me anë të parashkrimit fitues. 

Sipas saj, qytetari i arrestuar për plagosjen e inspektorit të IMT është viktimë e sistemit korruptiv dhe oligarkik që kanë ngritur Edi Rama dhe Erion Veliaj, të cilët grabitin pronat e qytetarëve për të ndërtuar kulla. 

"Ngjarja është e rëndë, është e dënueshme, nuk mund të shkohet në veprime që cenojnë jetën e dikujt. E thashë që, na pëlqen ose jo, jemi të detyruar të shkojmë në dyert e drejtësisë, pavar4ësish se po shohim që s'po marrim drejtësi. Ky është edhe rasti i zotit Qani Muça. 5-6 ditë më parë më kërkoi ndihmë, më tha se çfarë po ndodhte me pronën e tij, ishte në proces gjyqësor në Administrative, ku ka kërkuar shpalljen të pavlefshëm të vendimit të shembet, sepse është në proces legalizimi. Zoti Muça kishte kërkuar edhe sigurimin e padisë, sigurimi i padisë tregon që të pezullohet veprimi i shembjes së banesës, deri sa të zgjidhej çështja me vendim të formës së prerë. Në pamundësi financiare, ai i ka kërkuar gjykatës edhe një avokat shteti dhe gjykata ia ka miratuar këtë kërkesë.

Sipas pretendimit të zotit Muça, avokati, pa dijeninë ka kërkuar heqjen dorë, ose pushimin e masës së sigurisë për të mos u prishur banesa deri sa vendimi të merrte formën e prerë. Unë e sigurova që deri ditën e hënën do të bënim ankim në Gjykatën Administrative. Dje më ka shkruar që jam i shqetësuar se shoh një fadromë pranë shtëpisë bashkë me një matrapik. Nga ora 12 e kam marrë në telefon dhe nuk fliste dot nga presioni i madh që ishte, i thashë me gjithë dëshirën e madhe që kam, nuk mbroj dot IMT, s'jam aq e fortë të ndaloj veprimet e IMT. Lajmin e mora vesh nga mediat, e bëra lidhjen pa e dëgjuar emrin, sepse e pashë edhe gjendjen shumë të rënduar psikologjike.

Zoti Qani Muça është viktimë e këtij sistemi që ne po shikojmë dhe po përjetojmë çdo ditë, është viktimë e Erion Velisë, është viktimë e Edi Ramës, është viktimë e kësaj grabitje të madhe që po i bnëhet pronës publike dhe qytetarëve. Jemi dëshmitarë se si shkohet në 5 të mëngjesit, nxirr fëmijët me gaz lotsjellës, sepse një oligark pranë Erion Velisë apo Edi Ramës kërkon të bëjë kulla. Edhe në rastin konkret, nuk mund të zbatohet vendimi i prishjes, mbi ligjin. Kodi Civil e parashikon qartë se nëse ti disponon një banesë qoftë edhe ndërtim pa leje për një periudhë mbi 20 vite atëherë automatikisht ky shtetas bëhet pronar me anë të parashkrimit fitues".