Skandal/ Dhënia e shtetësisë i kalon privatit, KE kundër projektit të Ramës, gazetari: Jepni dhe ushtrinë me PPP

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të japë me koncension edhe dhënien e nënshtetësisë shqiptare.

Vendimi i Këshillit të Ministrave me numër 530 mban datën 29 korrik dhe hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në fletoren zyrtare. Propozimi për këtë vendim të paprecedente është bërë nga Ministri i Brendshem Bledi Çuçi dhe është miratuar nga kryeministri Edi Rama.

Në pikën numër 1 thuhet shprehimisht që qeveria vendosi “zbatimin e procedurave të koncensionit /partneritet publik privat në sektorin e programeve të shtetësisë”. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Ministria e Brendshme.

Deri më tani dhënia e shtetësisë shqiptare, ishte një proces i gjatë, ku përfshihen disa institucione, madje edhe ato të sigurisë, ndërsa gjithçka merrte formë me një dekret që mbante firmën e Presidentit të Republikës.

Procesi përfshin një seri hallkash, siç mund ta shihni në dokumentin e emërtuar 'aplikim për shtetësinë shqiptare' të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe veç të tjerash parashikonte verifikim rigoroz të këtyre aplikimeve nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe institucioni i Presidencës.

Por vendimi i firmosur nga Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar procesin e ndjekur deri tani dhe ky shërbim tashmë kalon me koncension. Në vendimin e 29 korrikut nuk jepen detaje se si mund të aplikohet, apo se si do të veprohet me këtë proces mjaft delikat.

Me rregullat e vjetra, shteti shqiptar për çdo aplikim arkëtonte vetëm 30 euro dhe nuk dihet se sa mund të përfitojë koncensionari nga ky proces.

Edi Rama kohë më parë ka hedhur idenë e përfitimit të shtetësisë shqiptare, kundrejt investimit që mund të bënte në Shqipëri personi i interesuar. Kjo solli reagime në atë kohë edhe nga organizma ndërkombëtare, çka duket se detyroi kryeministrin të tërhiqej. Por siç duket ishte një tërheqje e përkohshme, përderisa ai tashme ka vendosur te jape me koncension procedurën e dhënies së shtetësisë.

Gazetari Klodian Tomorri ishte ndër të parët që reagoi ndaj këtij vendimi të kryeministrit Rama. 

“Këtu nuk është e qartë akoma se cfarë kanë ndermend të bëjnë. Por me gjasë do kontraktojnë ndonjë kompani private që të gjeje miliardera nëpër botë për t’u shitur pasaporten shqiptare. Është ai projekti golden passports që e kundërshton fort BE-ja.

Po ky është funksion mirëfilltazi shtetëror. Si mund të delegohen hallkat proceduriale të shtetësisë tek privati? Futini dhe policisë apo ushtrisë një koncesion tani, që të vejë tamam kjo punë”.

Kalimi i procesit të dhënies së shtetësisë shqiptare në duart e ndonjë kompanie private ngre pikëpyetje të forta edhe për aspekte që lidhen me sigurinë kombëtare, pasi dhënia me koncension e këtij shërbimi do çojë në anashkalim të filtrave të domosdoshëm shtetërore për verifikimin e personave të huaj që aplikojnë për shtetësi shqiptare.