Emigrantët që përmbytën Anglinë vijnë për vizitë/ Rama i numëron si 90 mijë turistë nga Britania

Nëse u hedh një sy medieve angleze këto ditë, nuk është habi që fjalët Shqipëria dhe shqiptarët t’i hasësh me tepri.

Shkak u bë një raport i inteligjencës ushtarake që zbuloi se 40 përqind e emigrantëve që kalojnë La Manshin drejt Anglisë nuk vijnë nga ndonjë vend në luftë, por nga Shqipëria.

Skandali ka tronditur Britaninë e Madhe dhe ka sjellë reagime të shumta nga politika.

Trafiku i shqiptarëve me gomone drejt Anglisë jo vetëm është një biznes në lulëzim, por po reklamohet masivisht në rrjetet sociale. Shqiptarët ofrojnë ulje të ndjeshme për ata që kalojnë Kanalin.

Sikur të mos mjaftojë kjo, në media sheh edhe statistika të tjera të dhimbshme. Kështu, shqiptarët janë në dhjetëshen e prindërve të huaj që kanë lindur më shumë fëmijë në Britaninë e Madhe.

Nga ana tjetër, shqiptarët mbajnë rekordin për martesat false për dokumente. Numri i tyre është rekord për trafiqet, shtëpitë e barit, të burgosurit, etj.

Në kulmin e kësaj situate, kryeministri Edi Rama bëri sot një postim, ku thotë se në Shqipëri kanë mbërritur 90 mijë turistë britanikë.

Mesa duket ai numëron si britanikë të gjithë shqiptarët, kryesisht nga Shqipëria verilindore, që kanë braktisur mëmëdheun dhe kanë shkuar drejt Anglisë, por që kthehen për vizita në shtëpitë e tyre në verë.

“Nga 36 mijë turistë britanikë deri në korrikun e vitit të kaluar 90 mijë kanë qenë vizitorët nga Britania e Madhe në Shqipëri këta shtatë muaj, falë edhe shtimit të konsiderueshëm edhe të udhëtimeve me linja direkte,” shkruan Rama.