Berisha denoncon një tjetër mega-skandal me rrugën Qukës-Qafë Plloçë

Kryetari demokrat, Sali Berisha denoncoi dje projektin e rrugës Qukës-Qafë Plloç, e cila ka nisur para 13 vitesh, por që nuk ka përfunduar ende dhe me gjasë nuk do të përfundojë këtë vit.

Në konferencën e përjavshme për mediat, kreu i selisë blu akuzoi Kryeministrin Rama dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, që sipas tij kanë më shumë se trefishuar kostot e investimit.

Por, më e keqja, sipas Berishës, është fakti se sipas tij në bashkimin midis dy loteve të aksit ka një nivel prej 17 metrash dhe kjo sipas tij është bërë në mënyrë të qëllimtë për të marrë edhe më shumë para.

“Nga 73 milionë euro që ishte fondi, me të cilën u prokurua, deri ditën e sotme janë shpenzuar për ndërtim e saj 225 milionë euro. Një rrugë që kalon në një territor jo të vështirë, të jemi realistë, të pjerrët, por jo të vështirë. Pa vepra madhore arti, tunele apo ura të gjata, apo akuadokte të gjata. Është, pra, mbi trefishuar çmimi deri sot. Por kjo nuk mjafton. Zhvillimi i fundit në këtë rrugë është ky, në Trebinë të Mokrrës, lotet që ndërtoheshin në drejtim të njëri-tjetrit na dalin në një disnivel 17 metra. Tani ju duhet të dini që në rrugë që ndërtohen mbi sipërfaqen e tokës, kjo ndodh vetëm me qëllim, nuk mund të ndodhë kurrë pa dashje.

Projekti i rrugës shqyrtohet në çdo detaj nga Ministria e Punëve Publike, respektivisht Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, ka grupin e inxhinierëve që shqyrton në çdo detaj. Dhe duhet të dini që projektet kushtojnë 5 deri në 6 për qind të të gjithë kostos së objektit dhe ka një supervizor që e detyron kompaninë t’i përmbahet rigorozisht projektit të paraqitur, ose në rast se lindin problem çdo ndryshim i projektit miratohet nga institucioni që ndërton rrugën. Kjo nuk ka ndodh. Ky është disnivel i krijuar me qëllim që të plaçkiten më tej taksapaguesit shqiptarë. Dhe, pikërisht 10 ditë më parë Edi Rama njoftoi se janë marrë 50 milion euro të tjera borxh, praktikisht për vazhdimin e kësaj rruge”, tha Berisha.