Manjani: Deri në fund të shtatorit opozita duhet të ketë gati kandidatët për zgjedhjet lokale

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani komentoi në edicionin e pasdites në Syri Tv aksionin opozitar dhe aksionin anti-opozitar të qeverisë. Ish-ministri është i mendimit se në situatën aktuale, ajo që mungon në radhët e opozitës është fuqia bashkuese dhe reagimi në sinkron.

Sipas tij, qeveria e Ramës tallet kur shikon kakofoni brenda kampit opozitar ndërsa shtoi se deri në fund të shtatorit, opozita duhet të ketë gati kandidatët për kryetar bashkie për zgjedhjet e ardhshme vendore.

"Berisha ndërtoi një foltore, Meta ka një foltore tjetër, nga ana tjetër është shtuar presioni shumë i madh ndaj oponionit publik ku pritet që për çdo gjë të reagojë opozita. A thua se opozita ka lindur për të qëndruar në rrugë.

Qëllimi i partive politike është të prodhojnë politikë, alternativa dhe burime njerëzore. Ka mungesë të dukshme koordinimi, kam parasysh reagimet nervoze të Metës që janë të pajustifikueshme, duhet të kuptojë që ka dalë nga zyra e Presidentit.

Meta duhet të kuptojë që kemi nevojë për një opozitë idesh, opozitë të fortë e profesionale, për opozitë të koordinuar në reagime.

Nëse flitej për Havzi Nelën, një ngjarje që duhej përkujtuar, në anën tjetër flitej për çunat e rrugës së pazarit të ri. Kjo është kakofoni që i shërben qeverisë. Qeveria kur gjen një opozitë kakofonike, tallet, e përqesh.

Partitë opozitare të sinkronizohen. Detyra e opozitës është të fillojë të bëhet gati që në fund të shtatorit, opozita politike të ketë gati kandidatët për kryetar bashkie, këshilla vendorë.”-tha Manjani.