Doli të gjuante derra të egër, plagos me çifte fqinjën

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e djeshmi në zonën e Kryoner në Greqi, ku një banor kishte dalë për gjueti, në kërkim të derrave të egër që zbresin nga malet në kërkim të ushqimit.

Kur e kuptoi që derrat e egër i ishin afër, gjuetari nxori çiften dhe filloi t’i ndiqte duke qëlluar drejt tyre. Por pakujdesia e tij për pak çoi në tragjedi, pasi copëzat e armës plagosën një fqinje që kishte dalë nga shtëpia e saj për të parë se çfarë po ndodhte.

Menjëherë është njoftuar policia dhe autori është arrestuar në vendngjarje.

Të paktën, ai arriti të vrasë një derr të egër dhe të plagosë një tjetër.

Mediat vendase shkruajnë se gjuetia natën në këto zona është kthyer në problem serioz, pasi rrezikohet edhe jeta e banorëve. Drejtoresha e mirëqenies së kafshëve në komunën e Dionysos, Maria Antonopoulou, i cilësoi si zona luftë këto vende.

“Sidomos tani që shumë njerëz janë larguar me pushime, kemi frikë të dalim shëtitje për shkak të të shtënave . Është sikur të jemi në një zonë lufte. Ndonëse bashkia e Dionisos ua ka bërë të qartë të gjithë qytetarëve se nuk do të tolerojë gjuetinë pa leje, ka nga ata që fatkeqësisht këmbëngulin sikur nuk kanë para të shkojnë në kasap për të blerë mish”- tha Antonopoulou.

Kryetari i Bashkisë Dionysos, Yiannis Kalafatelis, po ashtu, u shpreh i indinjuar lidhur me rastin e plagosjes së banores.

“Në lidhje me ngjarjen e trishtë që ka ndodhur natën e së mërkurës së 10 gushtit në Kryoneri, e cila rezultoi në plagosjen e lehtë të një gruaje banore të Bashkisë sonë, në kuadër të gjuetisë së paligjshme të një tufe derrash të egër nga një tjetër banor i zonës, shpreh neveri dhe dënoj ngjarjen që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi. Askush nuk ka të drejtë të rrezikojë, për asnjë arsye, jetën e bashkëqytetarëve tanë”- u shpreh ai.