Meta: Partia e Lirisë do të pagëzohet si Partia e Referendumeve

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e ka përforcuar edhe më tej, boshtin e aksionit të tij politik, mbi të cilin themeloi partinë e re më 25 korrik: mbajtjen e referendumeve, ashtu siç veprohet në Zvicër, ku populli vendos me votë për vendimet e mëdha me rëndësi për vendin deri tek ato për rajonin a qytetin!

Meta shkroi sot në Fb: “Koha e Referendumit po vjen përgjithmonë! Ndaj më 25 korrik u mor vendimi historik për t'u dhënë shqiptarëve Partinë e Lirisë, e cila do të pagëzohet si Partia e Referendumeve shumë shpejt!

Bashkëpunim me çdo ekspert, faktor, parti, grup interesi dhe çdo qytetar për të garantuar ligjërisht ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese të bllokuar nga oligarkia për dy dekada.

Koha kur pakica vendoste pas shpinës të shqiptarëve ka përfunduar përgjithmonë. Së bashku do t'i japim fund kapjes së shtetit përmes Referendumit dhe shenjtërimit të Kushtetutës dhe të ligjit.”