Disa i degdisin me gomone, ata që rrinë - me gomone i vrasin!

Nëse kërkon të informohesh për fytyrën e vërtetë të turizmit shqiptar, mos shko tek ofertat turistike, apo tek faqet informative që ju orientojnë drejt vendeve ideale ku mund të kaloni pushimet tuaja. Shkoni tek faqja e kronikës së zezë dhe do të merrni të gjitha informacionet që ju duhen, jo vetëm për t’i qartësuar idetë se ku (nuk) duhet t’i kaloni pushimet, por edhe ku nuk do të rrezikoni kokën ju dhe familja juaj.

Prej një muaj, vendet me plazhet elitare në Shqipëri zënë faqen e parë të kronikës së zezë me katër aksidente të rënda, disa prej të cilave kanë përfunduar në mënyrë tragjike. Rasti më i hidhur ishte ai i djeshmi në plazhin e Potamit, në Himarë, një vajzë shtatë vjeçare humbi jetën. Një skaf i drejtuar nga një efektiv i lartë i Policisë së Shtetit ka goditur vogëlushen, e cila kishte ardhur me prindërit e saj nga Anglia për të pushuar në bregdetin shqiptar.

Mjeti që drejtohej nga Arjan Tase, ish-shef i komisariatit të Himarës, aktualisht shef i policimit në Komunitet në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ka qenë duke qarkulluar me shpejtësi të madhe pranë zonës ku kishte njerëz, madje duke bërë edhe manovra të rrezikshme.

Kjo vdekje ishte paralajmëruar nga një seri ngjarjesh të tilla. Më 16 korrik, në Jalë, një motoskaf që qarkullonte me shpejtësi të madhe humbet kontrollin, duke marrë përpara çiftin e pushuesve në shezlong. Vetëm dy ditë më vonë, më 18 korrik, një gomone goditi në plazhin e Jonufrës një tjetër fëmijë shtatë vjeç, i cili ka qenë duke notuar fare pranë bregut të detit, duke i shkaktuar atij lëndime të rënda.

Le t’i harrojë për një moment çmimet e larta me të cilat, përveç asaj që ka krijuar Zoti, nuk të shesin gjë tjetër. Le të harrojmë abuzimet me pronën publike, ku laca ma bark fishtian ‘t’kërcyem e t’bamun kodër’ zhvasin çdo pëllëmbë bregdet me shezlongë që i kanë çmimet sa një ndenjëse avioni. Le t’i harrojmë ndërtimet pa leje dhe ato me leje të autorizuar nga lart. Le ta harrojmë ndotjen akustike me tallava e muzikë dupsi-dupsi të hiteve verore. Le t’i harrojmë edhe të fortët që përzënë turistët e huaj pse nuk zgjedhin të abuzohen prej tyre. Le ta harrojmë edhe kryeministrin që si Kapelebërësi i çmendur nxjerr nga kapelja një tjetër Shqipëri sa herë del të na mrekullojë me arritjet e qeverisë së tij, edhe në turizëm.

Por ne nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë vrasjen e fëmijëve. Një pjesë i “vrasin” duke i degdisur brigjeve të Europës me gomone e kamionë, duke vrarë kështu shpresën dhe të ardhmen e vendit. Ndërsa pjesën tjetër, atë që rri, apo atë që vendos të vijë e vrasin me gomone duke pushuar në tokën e tyre. Pak ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, i quajti këta vrasës (sepse aksidente nuk i quaj dot) “gangsterë të detit”. Sot, një gangster shteti, i akuzuar si trafikant droge, duke xhiruar skafin në një zonë të ndaluar për mjetet motorike, i mori jetën një fëmije.