Ja si do të votojnë emigrantët/ KQZ publikon draftin me propozimet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gati draftin për mënyrat dhe procedurat e votimit të diasporës.

Dokumenti është në fazë konsultimi dhe i është dërguar palëve politike për marrje mendimi.

Në draft theksohet se procedura për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e votuesve nga jashtë fillon jo më vonë se 15 ditë nga data e shpalljes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës për zgjedhjet për Kuvendin dhe përfundon jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

“Kërkesa për regjistrim bëhet nga vetë votuesi nga jashtë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të tij, ose nëpërmjet një aplikacioni të instalueshëm në pajisje të ndryshme inteligjente, i miratuar nga KQZ. Votuesi nga jashtë që kërkon të regjistrohet duhet të plotësojë të dhënat që i kërkohen në formularin përkatës elektronik i cili i vihet në dispozicion sipas pikës 3 të këtij vendimi”, thuhet në draftin e KQZ.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, emigrantët e patën të pamundur të votonin.

Kjo, edhe pse ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuara në muajin korrik 2020 përcaktuan për herë të parë votimin nga jashtë vendit, i cili ishte parashikuar të zbatohej në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.