Vrasja me snajper e Reçit/ Ish-efektivit të RENEA-s i merret ADN-ja

ADN-ja e ish-efektivit të RENEA-s, Remal Rada dhe mikut të tij Elton Hithi tashmë është vendosur në dispozicion të Prokurorisë së Lezhës.

Kjo e fundit i kërkoi Gjykatës vendimin për marrjen e mostrës së ADN-së me dyshimet se Remal Rada dhe Elton Hithi kanë informacione për ekzekutimin mafioz të Kastriot Reçit.

Mostrat e ADN-së, të gjendura në armën e krimit, do të krahasohen me ADN-në e dy personave, të cilat iu morën në ambientet e burgut “313” Tiranë, ku po qëndrojnë prej disa ditësh pas vendimit të dhënë nga Gjykata me masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Këta dy persona u arrestuan nga Policia në kuadër të operacionit “Double Strike”, ku në makinë iu gjet një snajper dhe gjatë kontrollit në banesa iu gjeten arsenale të tëra armësh.

Rada ishte larguar nga RENEA në pranverën e këtij viti dhe nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga Anglia. Të dy personat po hetohen nga Prokuroria e Tiranës për armëmbajtje pa leje dhe mbajte pa të drejtë e uniformës, ndërsa sipas burimeve, nuk përjashtohet mundësia që ata ishin gati të kryenin një vrasje.

Armët, thanë burimet, u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore, me dyshimet se mund të jenë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të muajve të fundit dhe pritet ekspertiza përfundimtare. Hetuesit dyshojnë se Remal Rada e Elton Hithi, të kenë qenë duke përgatitur një vrasje, por deklarimet e të arrestuarve nuk i kanë ndihmuar në këtë pikë.

Burimet thane se fillimisht Rada ka pretenduar se çantën ia ka dhënë një person i tretë, por më tej e ka tërhequr qëndrimin.

Kastriot Reçi, 47-vjeç, babai i një fëmije, në pritje të bëhej për së dyti baba pasi bashkëshortja e tij ishte shtatzënë, u ekzekutua në një plan të mirorganizuar me një plumb të vetëm në zemër me snajper, nga një person ende i paidentifikuar nga policia, por që dyshohet të jetë vrasës me pagesë.

Reçi, ish-bashkëaksioner i një televizioni lokal, tashmë të mbyllur, dhe pronar i një rrjeti kabllor, del nga makina “Mercedes Benz”, të cilën e parkon pas Pallatit të Kulturës në Rrëshen, ku është dhe lokali i tij. Pasi takon një grua, e cila mbante përdore një fëmijë në shëtitoren e qytetit, qëllohet me snajper dhe bie menjëherë në tokë.

Autori, emrin e të cilit Policia nuk e ka ende, ishte veshur si grua, me fustan dhe paruke dhe kishte hipur në katin e shtatë të një pallati rreth 150 metra larg, në apartamentin e mikut të Tonin Gjinit, njohur edhe me emrin Armando, gjithashtu i vrarë vite më parë në Rrëshen, i njohur si pjesë e grupit të Met Kananit dhe i arrestuar për drogë në 12 maj të 2018.