Zhvendosen kamionët/ Nis largimi i barrikadave në veri të Kosovës

Në fshatin Rudarë, në veri të Kosovës, ka nisur largimi i kamionëve të vendosur nga serbët lokalë.

Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica dhe nëpër të kalon rruga për në pikën kufitare të Jarinjës.

Tërheqja e kamionëve dhe mjeteve të tjera ka nisur në orën 11:00 të 1 gushtit dhe me tërheqjen e kamionëve, edhe qytetarët e mbledhur kanë nisur të largohen.

Rrugët që çojnë për në Jarinjë dhe Bërnjak - pikëkalimet që lidhin Kosovën dhe Serbinë - u bllokuan nga serbët lokalë, në kundërpërgjigje të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Ekzekutivi ka thënë se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumenteve serbe, kur të largohen të gjitha barrikadat në veri.

Në mëngjesin e 1 gushtit, nga Policia e Kosovës konfirmuan se bllokadat ende ishin të vendosura.

Në Mitrovicë të Veriut, sipas gazetarëve në terren, situata është e qetë. Por, në rrugët e këtij qyteti janë parë mesazhe ku shkruhet: "Mirë se vini në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe".