VIDEO/ Tjetër kallëzim në SPAK për Veliajn, Kalaja: Duhet të arrestohet...
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kallëzuar në SPAK kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me deklaratën në mbledhjen e Këshillit Bashkiak datë 26.07.2022 për hapjen e garës për Teatrin e Ri, bazuar në projektin e Bjarke Ingels, ndërkohë që nuk është ekzekutuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe janë nën hetim kallëzimet e Aleancës për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe projektin korruptiv të Bjarke Ingels.
Përfaqësuesit e Aleancës, sipas avokates Adriana Kalaja, kanë kërkuar marrjen e masës së sekuestros preventive mbi truallin dhe projektin e Bjarke Ingels. Sipas Kalasë, projekti është korruptiv.
"Sot për të disatën herë iu drejtuam SPAK sepse Veliaj po shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi nuk ka kthyer Teatrin tek Ministria e Kulturës ashtu siç është vendimi. Ne mendojmë se veprimet e Veliajt janë në konsumim të veprës penale dhe korruptive".
Sipas Kalasë, SPAK, me arrestimin e Veliajt, i bën një nder shumë të madh luftës kundër korrupsionit. "Veliaj i ka dosjet kapicë," tha ajo.