Miku i Taulant Ballës, Edmond Bego iu grabit tokën për të ndërtuar pallate, familja Doçi denoncim në Syri Tv

Prej disa muajsh pjesëtarët e familjes Doçi përballen me grabitjen e një trualli prej 2500 metrash, nga miku i ngushtë i Taulant Ballës, Edmond Bego, për të ndërtuar një kompleks pallatesh. Gropat e hapura për pallate nga kompania kanë vënë në rrezik edhe themelet e banesës së familjes Doçi. Leja është dhënë nga Bashkia e Tiranës, ndërsa fadromat vijojnë punën, edhe pse çështja është ende në proces gjyqësor.

SYRI TV

Vijon zaptimi i pronës së familjes Doçi në rrugën “Stavri Themeli” pranë ish- parkut të Autobusëve në kryeqytet. Prej muajsh pjesëtarët e familjes Doçi jetojnë me zhurmën e fadromave të Kompanisë së Edmond Begos, mikut të Taulant Ballës, i cili vazhdon punimet për ndërtimin e një kompleksi pallatesh.

Vëllezërit Doçi janë pronarë me letra të 2500 metrave katrorë tokë dhe nuk kanë dhënë dakordësinë për ndërtim, madje çështja është ende në proces gjyqësor, por pavarësisht kësaj punimet vijojnë, teksa Bashkia e Tiranës ka aprovuar lejen për ndërtimin e pallateve.

Vëllezërit Doçi tregojnë se Bashkia dhe policia sipas tyre po shkelin haptazi ligjin duke favorizuar mikun e Taulant Ballës. Shqetësimi i tyre shkon edhe më tej, pasi u rrezikohet jeta për shkak se gropat e hapura nga kompania ndërtuese, janë gërrmuar shumë pranë themeleve të shtëpisë së tyre. 

Edhe projekti i Unazës së Madhe është devijuar duke spostuar lumin Lana, çka rrezikon shembjen e qindra banesave, pikërisht për të shpëtuar kompleksin e pallateve të mikut të Ballës.   

Edmond Bego, njihet në Shqipëri si biznesmen i suksesshëm në fushën e ndërtimit dhe me mbështetje të madhe politike, ndërsa në Itali rezulton i dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

I njohur për miqësinë e ngushtë me Taulant Ballën, Bego, ka futur duart edhe në fondet publike, ku sipas disa dokumenteve të publikuara nga opozita ka marrë të paktën 14 milionë euro nga tenderat e shtetit, pavarësisht se ligji shqiptar i ndalon një të dënuari për trafik droge të marrë pjesë në tendera publikë.

 DENONCIMI I PLOTË

Gazetare: F. Çela
Operator: V. Selamaj
Montazhier: H. Maloku