Berisha: SHISH ka hartuar dokumentin për të përfshirë Metën në dosjet e ish-sigurimit

Gjatë konferencës për mediat, kreu i PD-së, Sali Berisha u pyet edhe në lidhje me dokumentet e publikuara ditët e fundit, ku thuhet se Ilir Meta është bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.

Berisha tha, se dje i kishte marrë dokumentet në dorë dhe se personi për të cilin bëhet fjalë është Ilir Murati nga Librazhdi.

Berisha e ka konsideruar letrën e Autoritetit të Dosjeve të ish-Sigurimit ku përmendet Ilir Meta, si një raport të hartuar nga Edi Rama dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.

Pyetje SYRI TV: Z. Berisha, paralelisht ndërsa ju mbani këtë konferencë, PS po përgatitet për të prezantuar disa ndryshime në ligjin për informimin dhe dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit... Në qoftë se ata do të prezantojnë ato ndryshime, cili do të jetë qëndrime juaj?

Berisha: Po. Pas verifikimit të dokumenteve, unë deklarova dy ditë më parë se gjithçka është një trillim i paskrupullt i Edi Ramës dhe i turpshëm i një njeriu në panik, pa asnjë moral, që përdor shpifjen dhe trillimin kundër kundërshtarëve politikë.

Dje pasdite dhe sot - unë kam dokumentet në dorë – nuk ka akt më të shëmtuar. Edi Rama bashkë me Shërbimin Informativ që ka organizuar, e ka bërë në mënyrën më të trashë këtë kurth, e ka stisur në mënyrën më të trashë. Cilido që lexon emailin, e ka të qartë se I. M., është Ilir Murati, nga Librazhdi. Dhe Filip Tale është nga Librazhdi dhe s’ka asnjë lidhje, asnjë lidhje me Ilir Rexhep Metën. Këtë e kanë dituar këta.

Edi Rama ka keqpërdorur, ka keqshfrytëzuar në mënyrë më të shpifur, qoftë Kryetaren e Autoritetit të Dosjeve, qoftë Linda Nikollën. Unë mund t’ju them ju: në dokumentin që Genta Sula i drejton Linda Nikollës, akuzon Ilir Metën për bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, një akt i pashembullt! Një akt i pashembullt! Kjo zonjë është keqshfrytëzuar në mënyrë ekstreme nga Edi Rama për arsye që ajo i di vetë. Për arsye që ajo i di vetë por ç’është e vërteta edhe do të zbardhen.

Prit, prit!

Mbi bazën e këtij dokumenti të hartuar nga SHISH, Edi Rama, për herë të parë në jetën e saj politike, Linda e parlamentit del dhe u thotë shqiptarëve se “jam e tmerruar”. Çfarë u tha: “Jam e horrifikuar,  e tmerruar...Ee tronditur!” – nga dokumenti që ka dalë.

Histori të turpshme. Zyrtarë primitivë që nuk kanë asgjë të përbashkët me integritetin e një zyrtari. Prisni, është për t’u zhvilluar!

Tani, ky është kurthi që organizon Edi Rama në mënyrë që të përdorë SHISH-in për fabrikim dokumentesh.

Cila është situata ligjore sot në Shqipëri?

Në vitin 1995, këtu është miratuar ligji i Lustracionit i përkthyer fjalë për fjalë, ligji i hartuar nga presidenti Vaclav Havel dhe i dorëzuar në parlamentin e asaj kohe, Çekosllavaki.

Sali Berisha e ka marrë atë ligj, e ka përkthyer fjalë për fjalë dhe e ka kaluar në parlamentin shqiptar.  Ai ligj kishte Lustracionin: Pengoheshin për të marrë pjesë në funksione zyrtare të gjithë piramida e persekutimit - le të themi, të shqiptarëve: polici sekrete, hetuesi, gjykata, prokurori.

U zbatua. Ilir Meta mori certifikatën, të cilën po të mos e meritonte, nuk mund ta merrte kurrë! Ju garantoj këtu!

Iku kjo. Socialistët erdhën në pushtet, ligjin e mbajtën, hoqën Lustracionin! E kuptoni? Dhe parlamenti është drejtuar….Parlamenti ka pasur me dhjetëra bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe është drejtuar nga bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit e me radhë. E hoqën lustracionin ata! Pikë.

Erdhëm në pushtet në vitin 2008.  Dorëzova përsëri të njëjtin ligj në parlament. E votuam! Përsëri Lustracion. Çfarë ndodhi?! Ligjin e rrëzoi tërësisht Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese. Ligjin që unë çova. Për mendimin tim, në mënyrë shumë të padrejtë, por gjykata është gjykatë dhe nuk e gjykon dot. Nuk lëviz dot nga ai vendim i saj.

Në vitin 2015, përsëri Partia Demokratike dërgoi amendamentet e Lustracionit. Edi Rama dhe PS i kundërshtoi në mënyrë kategorike. I kundërshtoi në mënyrë kategorike.

Tani, po të mos ishte Edi Rama ai që urdhëronte Genta Sulën dhe Lindën e parlamentit, kishte një shteg ligjor të plotë.

Cili ishte shtegu ligjor? - Në qoftë se ligji i Lustracionit nuk ekziston, ekziston ligji i Dënimit të Krimeve të Komunizmit dhe Genocidit Komunist në Shqipëri. Sipas këtij ligji, çdo qytetar ka të drejtë të çojë në gjykatë persekutorin e tij, torturuesin e tij, vrasësin e familjarëve të tij dhe ky ligj është në fuqi.

Këto dy zonja, po të mos merrnin përsipër të bënin rolin e të keqpërdorura in ekstremis politikisht nga Edi Rama, kishin tagër të orientonin qytetarit shko në gjykatë e hidhe Ilir Metën, por atyre nuk u interesonte sepse dilte që Filip Talen nuk e kishte persekutuar Ilir Meta, por ishte një IM, siç ka po të hysh me Ilir Meta….

Mund të ketë më dhjetëra Ilir Meta, mund të ketë shumë emra dhe ka, është e provuar, emër mbiemër i njejtë dhe ndonjëherë edhe emër i të atit korrespodon, ka në këto regjistra prandaj dhe kjo është fund e krye një turp i Edi Ramës.

Unë kam qenë, jam dhe mbetem gjithmonë për ligjin e Lustracionit, por ka një vendim gjykate Kushtetuse i cili e ka rrrzuar atë dhe unë nga ajo…Pavarësisht nga gjykata, ne e bëmë provën në 2015-ën dhe e refuzuan.  Ndaj dhe gjithçka këtu është një përpjekje për të keqpërdorur Shërbimin  Informativ kundër kundërshtarëve politikë nga Edi Rama. Kaq është e gjitha kjo. E gjitha.

Mos harroni, Linda e parlamentit, Genta….ato janë thjesht fatkeqet e radhës që i kanë lejuar vetës të keqpërdoren nga Edi Rama në një proces gjah shtrigash i turpshëm që mund ta bëjë vetëm një njeri që s’ka asnjë normë morale siç është Edi Rama. Të ngrejë shtetin në këmbë për një gjë shumë të qartë që nuk kishte asgjë lidhje me të.

Këto i bën vetëm Edi Rama.

Pse i bën këto? Absolutisht i bën dhe për atë që thashë por i bën edhe për të hequr vëmendjen nga vjedhjet e  tmerrshme që ka kryer në aferën e inceneratorëve në ndërtimin e rrugëve, në PPP, në aferën e Butrintit të Portit të Durrësit dhe të investimeve strategjike.

Ju e shihni, kjo ngrehinë është e kalbur. E kalbur. Kjo do të bjerë, ata e dinë, ju e ndjeni sesa i dizekuilibruar është ai. Parlamenti i është bërë ferr atij dhe e lëshon gojën në parlament në mënyrë të paimagjinueshme.