Asnjë nuk po e fiton Mega Millions në Amerikë, lotaria shkon mbi 1 miliard dollarë
Des Moines, Iowa - Një xhekpot gjigant i lotarisë Mega Millions shkoi në 1,02 miliardë dollarë pasi askush nuk i përputhi dot të gjashtë numrat të martën mbrëma që të fitonte çmimin e madh.
Xhekpoti i ri tani është çmimi i katërt më i madh i lotarisë në vend.
Xhekpoti është rritur kaq shumë, sepse askush nuk ka arritur dot të përputhë të gjashtë numrat e përzgjedhur të lojës që nga 15 prilli. Janë 29 lojëra radhazi që nuk kanë pasur një fitues të madh.
Numrat e së martës ishin: 07-29-60-63-66, Mega Ball: 15.
Çmimi 1,02 miliardë dollarë është për fituesit që zgjedhin variantin e pensionit, para të paguara çdo vit për 30 vjet.
Shumica e fituesve zgjedhin opsionin e parave, i cili për tërheqjen e ardhshme të premten mbrëma është rreth 602,5 milionë dollarë.
Shanset për të fituar xhekpotin janë 1 në 302.5 milionë.
Mega Millions luhet në 45 shtete, si dhe në Uashington, DC dhe në Ishujt e Virgjër të SHBA. Loja është e koordinuar nga llotaria shtetërore.