Kryeministri Rama: Në të ardhmen mund të legalizojmë kanabisin

Kultivimin i kanabisit është një fenomen tepër shqetësues për autoritetet shqiptare por edhe për vendet fqinje, të cilat ditë për ditë kapin sasi të mëdha droge.

Kryeministri Edi Rama është shprehur më herët se është kundër legalizimit të kanabis sativës, ndërkohë që dje qeveria miratoi strategjinë për të luftuar kanabisin.

Por, shefi i qeverisë shqiptare duket se ka ndryshuar mendim në lidhje me legalizimin e marijuanës.

Në një intervistë për gazetarin Enver Rabolli, Rama u shpreh se për momentin prioritet është vendosja e kontrollit të kultivimit të kanabisit, më pas mund të diskutohet ideja e legalizimit të tij.

“Është herët për legalizim, sepse sa kemi filluar vënien nën kontroll të territorit. Besoj se kjo temë do të hapet në të ardhmen, por së pari duhet të vëmë nën kontroll territorin”, tha Kryeministri.

Kjo deklaratë e Edi Ramës vjen në një kohë kur ka filluar fushata për zgjedhjet parlamentare.