Lirohet bregdeti i Porto Palermos, hiqen 120 çadra dhe shezlongë

Policia e Himarës ka liruar vijën bregdetare, në ‘Porto Palermo’ duke sekuestruar 120 çadra dhe shezlongë dhe duke proceduar penalisht administratorët e 2 subjekteve të paregjistruar në organet tatimore.

‘Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, nga Komisariati i Policisë Himarë në bashkëpunim me specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprat penale ‘Pushtimi i tokës’ dhe ‘Fshehja e të ardhurave’, për shtetasit: I. S., 32 vjeç, banues në Tiranë;  A. L., 47 vjeç, banues në Himarë’, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shërbimet e Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Himarë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 120 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në vendin e quajtur ‘Porto Palermo’.