SATIRA/ 16 pyetjet e radhës për Konsultim Kombëtar

Nga Lutfi Dervishi/

Në vijim të traditës më të mirë për t'u konsultuar me popullin për çështje të momentit, javën e ardhshme nis zyrtarisht raundi i dytë i Konsultimit Kombëtar.

Konkluzionet do të përdoren për të ndërtuar politika efiçente që do të shkojnë drejt për drejt në rritjen e mirëqenies dhe ecjen e pandalshme të Shqipërisë drejt integrimit euro-atlantik.

Më poshtë janë 16 pyetje, si simbolikë e 16 korrikut, ditës së madhe të çeljes së negociatave!

1. Duke parë fuqizimin e pandalshëm të monedhës së lekut ndaj euros dhe dollarit, sa mendoni se duhen ulur rrogat dhe pensionet:

A. 13%

B. 37%

C. Një muaj të jepen dhe muajin pasardhës, jo

2. Nën gjykimin tuaj, pronarë dhe administratorë firmash duhet të jenë:

A. të vdekurit gjatë Luftës së Dytë Botërore

B. Të rënët gjatë pushtimit 500-vjeçar otoman

C. Mbretëresha Teuta dhe ushtarët e saj

3.Sa mendoni të ulet mosha mesatare e ministrave:

A. 25 vjeç?

B. 18 vjeç

C. Apo 15 vjeç?

4. Për të nxitur pjesëmarrjen e burrave në qeverisje, sa mendoni se duhet të jetë kuota e përfaqësimit të burrave në qeverinë Rama 3?

A. 15%

B. 7%

C. 3.2%

5. A jeni dakord që Kryeministri ta ndërpresë punën në Shqipëri dhe të drejtojë përkohësisht:

A. Sri Lanken deri sa të stabilizohet

B. Anglinë deri sa të zgjedhin kryeministrin e ri

C. Francën, deri sa të stabilizojë çmimin e karburanteve, energjisë, gazit dhe produkteve ushqimore.

D. Drejtor i etikës tek Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA)

6. Sipas cilës radhë duhet derguar ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi për të menaxhuar shuarjen e zjarreve:

A. Në Portugali

B. Në Spanjë

C. Në Greqi

7. Fituesit e tenderave publike dhe projekteve të mëdha publike, duhen te kenë kryer burg:

A. Shqipëri

B. SHBA

C. BE

8. Kush duhet të ketë përparësi si investitore:

A. Të dënuarit për vrasje

B. Të dënuarit për prostitucion

C. Të dënuarit për trafik ndërkombëtar droge (Kokainë, heroinë dhe lart)

9. Rindërtimi së shpejti hyn në vitin e katërt. Rezultatet spektakolare janë të dukshme dhe nuk kanë nevojë për koment. Rasti Shqipërisë po merret si model. Ju si mendoni ekspertizën në rindërtim ne duhet t’ia ofrojmë falas:

A. Ukrainës.

B. Sri Lankës

C. Vendosni një shtet që mendoni se ka nevojë më shumë për ne

10. Paratë që do të mblidhen nga aministia fiskale duhen përdorur për:

A. PPP

B.Koncesion 30 vjeçar

C. Investitorë strategjikë

11. Pas konferencës kombëtare antikorrupsion, sa e ndjeni se është eleminuar korrupsioni?

A. Nuk ekziston

B. S'më ka rastisur

C. Shumë është bërë, por shumë mbetet për t'u bërë

12. A duhet pranuar Sllovenia në Ballkanin e Hapur?

A. PO

B. JO

C. Kur të plotësojë kushtet

13.Hapja e negociatave. Sa vjet mendoni se duhet të mbyllen?

A. 20 vjet

B. 5 mandate

C. 2 dekada

14. Hapja e negociatave ishte meritë e:

A. Kryeministrit Edi Rama

B. Kryetarit të PS, Edi Rama

C. Liderit Rama

D. Meritë e a+b+c

15. Pas çeljes së negociatave, sa ka ndryshuar jeta juaj?

A. Plotësisht

B. Shumë

C. Pyet patronazhistin

16.Cila këngë ishte më e mira këtë verë:

A. Kënga për tunelin e Skërficës

B. Për Lumin e Vlorës.

C. Lumi që mori Vunonë, Himarën dhe Qeparonë…