Bayern kërkon të zgjidhë çështjen 'Lewandowski' deri të shtunën

Bayern Munich po përgatitet për sezonin e ri dhe një nga problemet e rëndësishme që duhet zgjidhur sa më shpejt është rasti i sulmuesit Robert Lewandowski, i cili dëshiron të largohet nga klubi dhe të kalojë te Barcelona.

Lewandowski u shfaq në qendrën stërvitore ku iu bashkua përgatitjeve të Bayernit për sezonin e ri, pavarësisht se e bëri të qartë se dëshironte të largohej dhe të vazhdonte karrierën në një klub tjetër. Ai iu nënshtrua kontrolleve mjekësore, si dhe stërvitjes që u zhvillua mëngjesin e sotëm.

Është e qartë për të gjithë se çfarë kërkon polaku dhe ai është i bindur se Bayern dhe Barcelona do të arrijnë një marrëveshje dhe do të realizojnë transferimin e tij.

Nga ana tjetër, bavarezët duan që ai të qëndrojë, por nuk kanë ndërmend ta ekzagjerojnë dhe ta detyrojnë, ndaj vendosin një çmim prej 50 milionë eurosh. Katalanasit synonin të shpenzonin më pak para, por duket se Bayerni nuk ka në plan të negociojë për më poshtë.

Në çdo rast, klubi gjerman kërkon të gjejë një zgjidhje para së shtunës, kur do të prezantohet zyrtarisht skuadra për sezonin e ri. Shkak është edhe synimi për të shmangur marrëdhëniet e këqija mes tifozëve dhe Lewandowskit në fillim të sezonit.

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, po ashtu shpreson për një zgjidhje të shpejtë dhe ardhjen e Lewandowskit në klub dhe dëshira e tij është ta shohë atë në aeroplan në fluturimin për në Miami, i cili është planifikuar për në fund të javës.