Inceneratorët/ Vasili: Qeveria e Ramës, mafie e përfshirë në aferë! Pandëshkueshmëri prej drejtësisë së kapur

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, komentoi në emisionin 'Çim Peka Live' në Syri Tv mafien e inceneratorëve që përdor edhe të vdekurit në skemat e evazionit fiskal.

Vasili deklaroi se ka vetëm një mburojë për mafien e inceneratorëve, drejtësia shqiptare dhe pandëshkueshmëria.

Sipas tij, qeveria e Ramës është përfshirë kokë e këmbë në këtë aferë korruptive ndërsa shtoi se po qeveria e Ramës i ka garantuar mafies pandëshkueshmërinë për të grabitur paratë.

“Kuptojmë pse Rilindja është çjerrë që bërtiste për vite ‘reforma në drejtësi’, për të garantuar pandëshkueshmërinë. Kanë përdorur të ndjerën për këto skema.

Kush e di sa qindra mijëra firma, biznese të vogla, tatimorët u kërkojnë miliona, ndërsa këto miliardat nuk i shohin.

I kanë bërë se kanë pasur garancinë e pandëshkueshmërisë, kalojini këto para se nuk na prek gjë as neve as juve.

Rastet janë flagrante. Po të kthehemi një vit më pas, mars 2021 në pjesën e dytë të kallëzimit të madh që bëri LSI, denoncuam pjesën kryesore, kam kallëzuar dhe kam bërë publik një sërë kompanish që bënin evazion.

I provuar me fakte, që nga ajo ditë e deri më sot asnjë nga kompanitë nuk është pyetur e nuk është ndaluar, ka vetëm një emër, pandëshkueshmëri për shkak të drejtësisë së kapur.”-tha Vasili.