Vala e re e koronavirusit në Greqi, shumë më infektuese, shifra alarmante

Athinë - Vala e fundit e epidemisë së koronavirusit në Greqi është "shumë ngjitëse akoma", sipas profesorit të Pulmonologjisë dhe Zv. Presidentit të Shoqatës Helenike të Frymëmarrjes, Nikos Tzanakis.

“Numrat aktualë të rasteve nuk janë 15,000-20,000, por 30,000 - 50,000,” tha ai për Open TV të shtunën.

Ai vuri në dukje se nënvarianti BA.5 i variantit fillestar Omicron të Covid-19 transmetohet me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë dhe ka "simptoma të forta", megjithëse kjo nuk po shkakton alarm.

“Ne jemi të shqetësuar nga riinfektimet që po përjetojnë disa pacientë, ndërkohë që modifikojmë sistemet tona të mbrojtjes kundër viruseve të tjera,” tha ai.

Tzanakis parashikoi se vala aktuale do të arrijë kulmin në fund të korrikut dhe do të ulet shkallë shkallë shumë ngadalë, me ulje-ngritje të mundshme, në gusht. “Por ne kemi frikë nga një variant i ri. Një surprizë mund të jetë në pritje në fund të shtatorit,” parashikoi ai.

Nga ana e tij, Giorgos Pappas, doktor i patologjisë në Shkollën Mjekësore të Universitetit të Janinës me punë kërkimore në fushën e sëmundjeve infektive, ra dakord se Greqia nuk ka dalë ende nga pandemia.

 “Ne nuk jemi në fund të pandemisë. SARS-CoV-2 vazhdon të evoluojë dhe për fat të keq kjo është diçka që ne nuk mund ta parashikojmë dhe kontrollojmë,” tha ai, duke shtuar se virusi po prodhon variante të reja që shmangin mbrojtjen imune, që rezulton me riinfekstime, të cilat kanë qenë në rritje që nga mbizotërimi i shtamit Omicron.

Ai gjithashtu vuri në dukje se dozat përforcuese të vaksinave zvogëlojnë gjasat e infektimit sërish dhe rrisin mbrojtjen imune kundër rrezikut të sëmundjes së rëndë Covid-19.