Tiranë: kapen 6 mashtruesit e një Call Center, zhvasnin njerëzit që 'investonin' para në bursa fiktive

Një operacion i Prokurorisë dhe Policisë së Tiranës ka bërë që të bien në duart e Policisë, 6 mashtrues që kishin hapur një Call Center të paregjistruar askund në bulevardin “Gjergj Fisha” në Tiranë dhe prej aty, zhvasnin qytetarët duke i bindur që të investonin para në bursa fiktive, si Forez.

Por, Policia e Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kreu operacionin policor të koduar “Snare”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

 E. Sh., 29 vjeç (administrator i subjektit call center), A. H., 26 vjeç dhe I. I., 20 vjeç (operatorë në call center), të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. S., 25 vjeç, G. R., 22 vjeç dhe A. H., 18 vjeç, të tre banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. Sh., administronte, në bulevardin “Gjergj Fishta”, një subjekt privat call center, të paregjistruar në organet kompetente.

Në vijim të veprimeve ka rezultuar se shtetasit A. H., I. I., E. S., G. R., dhe A. H., të punësuar si operatorë në subjektin call center, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursë fiktive (Forex).

Si rezultat i operacionit, u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 aparate celulare,shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar për të investuar në bursa fiktive.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të, si dhe konfiskimin e aseteve që kanë burim këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mashtrimi”, “Ushtrimi pa licensë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.