Vrau George Floyd, gjykata amerikane jep dënimin për Derek Chauvin

Ish-oficeri i policisë së Minneapolisit, Derek Chauvin, i shpallur fajtor vitin e kaluar për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd, u dënua të enjten me 21 vjet burg me akuza të tjera federale për shkeljen e të drejtave civile të zotit Floyd gjatë arrestimit vdekjeprurës në maj 2020.

Chauvin, i cili pranoi akuzat federale në dhjetor, po vuan një dënim prej 22 vitesh në një burg të Minesotës për vrasjen e Floyd-it dhënë nga një gjykatë shtetërore vitin e kaluar.

Si pasojë e dënimit federal, Chauvin do të të zhvendoset në një burg federal.

Gjykatësi Paul Magnuson e njoftoi dënimin në St. Paul të Minesotës dhe tha se dënimi me burgim federal do të pasohet nga pesë vjet me lirim me kusht.

Ai i quajti veprimet e ish-oficerit të policisë Chauvin fyese dhe të papërgjegjshme, sipas shënimeve që një nga gazetarët e paktë që ishte në sallën e gjyqit, ndau me mediat.

"Të vendosësh gjurin në qafën e një personi tjetër derisa ai të vdesë është e gabuar, prandaj duhet të ndëshkohesh në përputhje me shkeljen," tha gjykatësi Magnuson.

46-vjeçari Chauvin, i cili është i bardhë, pranoi përgjegjësinë për shkeljen e të drejtave të Floyd-it. Vdekja e afrikano-amerikanit çoi në protesta në shumë qytete në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit.