Trafikuan 2.5 ton kokainë nga A. Latine/ Greqia nuk depërton dot në organizatën ku ka edhe shqiptarë!

Nuk ka të sosur saga e kokainës së sekuestruar në Greqi me logon “23” mbi pako, që i referohet yllit të NBA-së amerikane, Lebron James.

Deri tani kjo është hera e pestë në muajt e fundit që organet e akuzës zbulojnë kokainë me të njëjtën logo.  

Të njëjtat konfiskime janë bërë në Zakynthos, Athinë, Selanik dhe Lutraki duke nisur nga muaji mars, ku madje, ka indikacione se kjo sasi e veçantë e kokainës arrin në 2.5 tonë dhe është trafikuar përmes Greqisë në shkurt, në kontejnerë me banane nga Ekuadori, shkruan “Kathimerini”.

Sasia e fundit e sekuestruar arrin në 2 kilogramë dhe u gjet në shtëpinë e një shqiptari i proceduar më parë për drogë, në Kallithea. Pas arrestimit, në banesën e tij u gjetën edhe 44 mijë euro cash. Ai dyshohet se trafikonte drogën duke përdorur një motoçikletë me bagazhin e një kompanie të njohur shpërndarjesh për të shmangur dyshimet. Historia nisi të zbardhej në muajin mars, kur oficerët e Narkotikëve të Atikës, me sa duket kishin informacione për importimin e një ngarkese të madhe kokaine nga Amerika Latine. Për këtë arsye, kryen kontrolle në 200 kontejnerë me banane në Pire dhe 70 të tjera në Selanik. Me gjithë hetimin e mundimshëm, megjithatë droga nuk u zbulua. Në të njëjtën kohë, megjithatë, një pako me 1.1 kg kokainë u sekuestrua në Zakynthos.

Në fakt, ajo u gjet në KTEL Atikë dhe policia vendosi të kryejë një dërgesë të kontrolluar për të lokalizuar dhe arrestuar marrësin, siç edhe ndodhi. Ai është një shqiptar 38-vjeçar, i cili gjatë muajve të verës punonte në klubet e ishullit. Një muaj më vonë, dhe konkretisht më 1 prill, policia e prokurorisë arrestoi katër persona në Athinë, Zografou dhe Vouliagmeni, tre shqiptarë dhe një grek për posedim të 10 kilogramëve kokainë.

Katër nga dhjetë pako gjithsej të fshehura në një taksi dhe në shtëpinë e njërit prej të arrestuarve mbanin gjithashtu logon “23”. Që atëherë, ka pasur edhe dy raste të tjera të ngjashme me kapjen e kokainës në Selanik dhe në Lutraki. Aty policia gjeti 58 kg kokainë në një dhomë hoteli të marrë me qira nga një 45-vjeçar britanik (edhe ai banor i përhershëm në Malaga).

Secila prej paketave kishte në paketim numrin e fanellës së yllit të Los Angeles Lakers, LeBron James, ndërsa vetë kokaina ishte e shtypur me fjalën “NBA”.