Presidenti Meta dekoron, doktor Arben Rruginë me titullin 'Mjeshtër i Madh'

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh”, doktor Arben Rruginë, për vlera të larta profesoniale e njerëzore në shërbim të shoqërisë.

Presidenca njoftoi se “me një kontribut të vyer si obsteter- gjinekolog, drejtues i spitaleve të rëndësishme në Shqipëri, nismëtar dhe krijues i urave të bashkëpunimit me strukturat spitalore më të njohura në mbarë botën, për veprimtarinë e ndritshme në mjekësi dhe humanizmin, për vlerat e larta profesionale e njerëzore, doktor Arben Rrugia është vlerësuar nga Presidenti i Republikës  me titullin “Mjeshtër i madh”, në prani të familjarëve dhe miqve.“

Me angazhimin e tij pranë Caritas Italia, me dhjetëra fëmijë janë dërguar për trajtim e ndërhyrje të specializuara jashtë vendit, e kjo në një kohë kur edhe shteti shqiptar ishte i pafuqishëm për ofrimin e këtij shërbimi e ndërkaq më shumë se gjithçka flasin veprat për doktor Arbenin.

Përgjatë ceremonisë së dekorimit, doktori falenderoi të afërmit dhe gjithë të pranishmit në ambientet e presidencës.

Doktori do të thyente traditën e deriatëhershme duke u krijuar një hapësirë tepër të rëndësishme mjekëve të rinj në spitale, ndërsa kontributi i tij shtrihet edhe në  shoqatat shkencore profesionale mjekësore, si President i Shoqatës Shqiptare së Riprodhimit Human dhe Andrologjisë dhe anëtar në shumë të tjera. Janë me qindra rastet e shërbimit humanitar e profesional të Arben Rrugisë, që lartësojnë emrin dhe figurën e tij.