Qyteti i Shijakut vuan për pikën e ujit në kulmin e të nxehtit, Ujësjellësi premton pak

Qyteti i Shijakut në pikun e temperaturave të larta po vuan mungesën e ujit te pijshëm. Banorët janë të shqetësuar për këtë gjendje dhe thonë me indinjatë  se ujin që duhet ta furnizojë shteti,  ata që kanë mundësi ekonomike po e blejnë privatisht me çmime të shumëfishuara.

Problemet disa thonë se i kanë ngritur por nuk u janë marrë parasysh. Zona të ndryshme të Shijakut kanë nivele të ndryshme furnizimi, por te gjitha kanë mungesa.

Lidhur me këto ankesa u shkua edhe në zyrat e Ujësjellësit të Shijakut, por përgjegjësi ndodhej në terren në një sektor ku po vendoseshin tubacionet e reja që pritet të përmirësojnë situaten.

Lidhur me këtë situatë, Ujësjelllësi ka njoftuar se qyteti i Shijakut po përballet me një situatë të vështirë në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm.

Temperaturat e larta dhe thatësira kanë bërë që të pakësohet sasia e ujit që shërbente për të furnizuar qytetin e Shijakut dhe fshatrat përreth.

Aktualisht stacioni i pompave në Fushë Krujë po punon me kapacitet të plotë për të garantuar sasinë maksimale që prodhohet nga ky stacion për furnizimin e popullatës.

Një pjesë e fshatrave të Shijakut dhe ish njësia administrative Xhafzotaj, furnizohen me ujë nga burimi i Fushë Kuqes. 

Me fonde të buxhetit të shtetit po kryhen dy investime njëherësh, në mënyrë që të ketë përmirësim të furnizimit me ujë.

Investimet po kryhen me fonde të buxhetit të shtetit dhe autoriteti kontraktor është bashkia e Shijakut.

Investimi i parë ka të bëjë me ndërtimin e linjës së re nga depo e Shilores deri në Maminas, e cila do të shtojë sasinë e ujit, ndërsa investimi i dytë lidhet me ndërtimin e  rrjetit të ri shpërndarës brenda qytetit.

Të dy investimet pritet të përfundojnë pas afro dy javësh dhe pas kësaj situata në furnizimin me ujë pritet të përmirësohet ndjeshëm.

Në kushte të tilla Ujësjellës Kanalizime Durrës tha se kërkonte mirëkuptimin e qytetarëve duke iu kërkuar atyre që të mos e shpërdorojnë ujin për larje automjetesh apo vaditje.

Për shkak të thatësirës së gjatë, niveli i ujit në puset nga ku nxiret uji ka rënë me rreth 1.5 metër, krahasuar me një vit më parë.