Deputetëve mandat-hedhës të opozitës

Më në fund Shqipëria do ta ketë ditën e vet të zërit të vërtetë, zërit të protestës që i flet nga shpirti që nuk mban më! Më në fund ajo do të nisë një rrugëtim çlirues të të gjitha vuajtjeve, indinjimeve, përdhosjeve të arrogancës së pushtetit dhe fyerjes së pashembullt të inteligjencës së vet, të shprehur në pirgun e jashtëzakonshëm e rrëqethës të vjedhjeve dhe skandaleve të bëra në vite dhe të padënuara asnjëherë.

Më fal, se këtu do të doja të isha shumë më i përpiktë. SPAK deri tani është thënë se po funksionon dhe ka ndëshkuar edhe zyrtarë të lartë. Kjo protestë na kujton me gjithë fuqinë e zërit të saj së dënimet janë vetëm një fasadë, sepse as maja e ajsbergut të korrupsionit nuk është parë. Është gërvishtur vetëm pak kallaji i përmendores së sukseve që ka ngritur propaganda gjithë këto vite. Ndaj, rrugëtimi i protestave është i gjatë, i dhimbshëm, ppr për herë të parë të paktën do të ketë shpresë që nuk do të braktisemi, nuk do të tradhtohemi si deri tani.

Lideri historik i PD, e ka marrë dhe po e mban këtë kryq mbi shpinë, të udhëheqë dhe mos të zhgënjejë kurrë, deri në fund, shpalosjen e zemërimit të madh popullor që duket se po zjen. Po deputetët e PD a e ndjejnë vallë po njësoj këtë mision? Sidoqë të ketë ndodhur deri tani, protesta e 7 korrikut është guri i tyre i rëndë i provës, është prova e tyre e madhe e zjarrit, se ata nuk do ta tradhtojnë përfundimisht popullin që i zgjodhi e që i ndoqi nga pas me sakrifica e vuajtje personale, në çdo betejë të tyre.

Shumë deputetë të PD në këtë periudhë të fundit janë shfaqur tmerrshëm larg konceptit aq të njohur të demokracisë popullore dhe parlamentare, konceptit që është guri i qoshes i çdo njeriu që merret me politikë, koncepti i deputetit të popullit. Ata janë sjellë si deputetë në erë, si deputetë hunj-shkulur nga njerëzit, hallet dhe realiteti i tyre. Atëherë shtrohet pyetja, deputetë të kujt janë vallë Alibeaj, Bardhi, Tabaku, Gjekmarkaj e kompani? Deputetë që nuk çojnë jo vetëm në parlament, por edhe në sheshe, në bazë, në terrenin e përditshëm, zërin e njerëzve, kanë shitur jo vetëm shpirtin e opozitës, por edhe karrierën e tyre.

Nuk dihet se përse vallë vazhdojnë të vegjetojnë në kurriz të emrit deputet, kur dihet se me këtë sjellje dhe qëndrim, as mund të kenë më shpresë të rizgjidhen më nga njerëzit. Njerëzit nuk i harrojnë betejat e tyre të munguara, nuk e harrojnë mos-marrjen e halleve të tyre mbi supe, nuk e harrojnë heshtjen e protestës së tyre. Ndaj, ata thjesht janë kamikazët politikë dhe njerëzorë të popullit opozitar. 

Mund të mbrohen se kanë një mendim tjetër dhe nuk besojnë në këtë lloj qëndrimi. Është thjesht një farsë e pështirë. Protesta, organizimi me të gjitha forcat e mendjes dhe shpirtit të saj, është detyrë mbi detyrat, është shënja dalluese e një njeriu të përgjegjshëm,. nuk ka lidhje me politikëm, as me non-gratan e shumëpërfolur. Bllofi dhe farsa e tyre më 7 korrik do shpërthejë si një qelb mllefi dhe inati, në mos përdorjeje, më 7 Korrik. Çdo opozitar që do dalë në protestë ose që ka votuar në zgjedhjet e lira në PD e di shumë mirë situatën e brendshme të saj. Ai nuk është as anti-amerikan, e as naiv të mendojë se pa mbështetjen e Amerikës, mund të vihet në pushtet.

Ndaj, pjesmarrja e tij e qëndrueshme, e përhershme, në të gjitha votimet e deritanishme, e që nga nesër,  edhe në të gjitha betejat që do të vijnë, është sindromë e një gjendjeje të pashembullt, pashprese e pafuqie të tmerrshme ku e ka zhytur atë qeveria, është shprehja më e qartë që tregon se katastrofa është bërë aq e thellë sa po i gërryen dhe ashtin e logjikës, duke e bërë gati për të vërshuar fuqinë e pezmit dhe zemëratës. Një këmbanë të tillë duhet ta dëgjojë urgjentisht edhe propaganda apo fitoret imagjinare me punësim dhe rritje ekonomike. E keni shpënë popullin deri në gradën e pafuqisë, që është gjëja më e keqe që mund ti ndodhë një poulli.

Dhe këtë gjë nuk ka Zot që e fal. Imagjinoi, se sa shumë duhet t’u djegin veshët deputetëve të PD nga gjithë kjo zhurmëratë. Po përse vallë ata bëjnë si të shurdhër? Si të verbër? Asgjë nuk arrin dot ta shpjegojë qëndrimin e tyre, përveç deciturës së karikaturës që do t’u vërë poshtë portretit të tyre elektorati në zgjedhjet e ardhshme: shurdh-memecët humbës. Radikaliteti negativ i tyre, i demonstruar përgjatë gjithë kësaj kohe, nesër do të shihen nën dritën e fortë të diellit të nxehtë të korrikut.

E pastaj do të digjet çdo iluzion, çdo kamuflim apo tjetërsim i personalitetit të tyre. Ata nuk i shërbejnë më qëllimeve, dëshirave dhe aspiratave të popullit të vet, ata tashmë virtualisht i kanë dorëzuar mandatet e deputetëve, përkundrazi i kanë flakur e shkelur me këmbë në mënyrën më të keqe.

Dhe të tillë duhet të konsiderohen e trajtohen, si deputetë të “dorëhequr” nga zëri i zgjedhësve të vet, me të cilët nuk mund të komunikojë më askush, derisa të ndihen të përgjegjshëm e t’u kthehen atyre zgjedhësve si në parabolën e bijve plangprishës.

Ftesa u është bërë me kohë, tashmë nuk mund të jenë ndryshe veçse mbretër lakuriq që i njeh gjithë populli, pavarësisht se atyre u duket vetja si të veshur bukur e me kostumin e opozitarit apo kryetarit.