VIDEO-SYRI TV/ Propozimet e reja për Kodin Rrugor, të rinjtë jo më shumë se 80 km/h në autostrada

 Vetëm deri në  80 km/h në autostradë dhe jo më shumë se 70 km/h në rrugët interurbane kryesor, propozohet të lëvizin shoferët që kanë më pak se 3 vite të pajisur me patentë. Një propozim i tillë i ka mbërritur Kuvendit, të miratohet si pjesë e ndryshimeve në Kodin Rrugor. Ndërkohë, rinovimi I patentës është një tjetër kriter që propozohet të ndryshohet.

Nga SYRI TV

Një drejtues makine që nuk ka më shumë se 3 vite që është pajisur me leje drejtimi, nuk do t’i lejohet të lëvizë me shpejtësi më të lartë se 70 km/h, në rrugët interurbane kryesore, dhe 80 km/h në autostrada.

Ky është një nga kriteret që një grup deputetësh të partisë socialiste i sugjerojnë Kuvendit ta miratojë si pjesë e disa ndryshimeve në Kodin Rrugor. Pavarësisht se në disa akse të vendit shpejtësia limit e lejuar është deri në 110 km/h, nëse propozimet miratohen, shoferët e rinj do duhet të lëvizin me të paktën 30km/h më pak.

Një aksi i tillë është ai i bypassit të Fierit. Ndërkohë sa i përket rrugëve interurbane kryesore,  vlen të merret shembull ajo Elbasan-Tiranë, ku norma maksimale e shpejtësisë është 90/km/h, por që me propozimet e ndryshimit të Kodit Rrugor, shoferët me më pak se 3 vite posedim të një patente, do duhet të lëvizin me jo më shumë se 70 kilometër.

Rinovimi i patentave është një tjetër pikë ku propozohen ndryshime. Ai parashikon që deri në moshën 70 vjeçare, të bëhet zgjatje deri në 15 vite, ndërsa aktualisht afati maksimal është 10 vjet për deri në moshën 50-vjeçare, 5 vjet mbi këtë moshë dhe 3 vjet për ata që i kanë kaluar 70-vjeç.

Një tjetër propozim që bëhet lidhet me shoferët e autobusëve, kamionëve apo të transportit. Grupi nismëtar thotë se kjo kategori mund të drejtojnë mjetin deri në moshën 70-vjeçare, nga 65 që është aktualisht.

Kodi Rrugor ka pësuar vazhdimisht ndryshime ndër vite. Për herë të fundit ndodhi në 2021, ku masat administrative dhe rritja e vlerave përkatëse të tyre ishte një nga vendimet kryesore.