'Të rinj, të reja, qytetarë të Vlorës, le të bashkohemi në protestën e e madhe të 7 korrikut kundër sektit në pushtet!'

Dega e Partisë Demokratike në Vlorë i ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë, të rinjve në veçanti, të bashkohen më 7 korrik në sheshin e lirisë, në sheshin e përgjigjes rinore, nën idealin e lirisë, për të qënë të fortë dhe të sigurtë për të ardhmen.

“Kombi është në rrezik, Shqipëria është në rrezik! – thuhet në dekleratë. - Mjerimi dhe varfëria janë ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare!

Korrupsioni qeveritar dhe vjedhjet që s'po njohin limit, janë indikatorët dhe objektivat primare të sektit në pushtet.

Por më e dhimbshmja këto 9 vite, rreziku më i madh, alarmi më i madh për ne shqiptarët, për ne të rinjtë, është shpopullimi dhe largimet masive të karakterit biblik të të rinjve.

Sot përfaqësoj  çdo të ri dhe të re, zëri i të cilëve u shua, u mbyt dhe zgjidhja e vetme u mbeti valixhja drejt Perëndimit, drejt atyre vendeve ku shpresojnë të gjejnë atë që kërkonin dhe humbën në vendin e tyre.

Sot kemi të rinj që nuk shkollohen, jo se u mungojnë vullneti dhe dëshira, por se varfëria i detyron të punojnë dhe akoma më shumë, të largohen jashtë.

Në 9 vite, janë larguar mbi 500.000 shqiptarë, ku pjesa më e madhe janë të rinj, forca më vitale e këtij vendi.

Dhe kur largohet rinia, e ardhmja e vendit dhe e kombit është vërtet në rrezik; humbet shpresa për të ardhmen, shpresa për ndryshim, kapitullon përpara së keqes. Përgjegjësi për këtë ka veç Rama dhe sekti i tij në pushtet!

Këto 9 vjet, shqiptarë që ikin e ikin nga vendi i tyre, për një jetë më të mirë, për një të ardhme më të mirë, për kushte më të mira pune, për shkollim e shëndetësi më të mirë, për drejtësi e barazi para ligjit.

9 vite politika antikombëtare e shpopulluese, 9 vite vrasje shprese për ne të rinjtë nga sekti në pushtet. Për 9 vjet, çdo ditë na jepet një arsye më shumë për t’u larguar. Por po ashtu na jepen edhe mijëra arsye për të qëndruar, rezistuar e për të fituar! Rezistenca jonë e lirisë, e frymës së rinisë, do të jenë antidoti më i mirë për kombin, për Shqipërinë.

7 korriku le të jetë përgjigja jonë qëndrestare.

Protesta jonë do të tregojë se ne, të rinjtë, jemi mbrojtësit më të mëdhenj të çdo interesi kombëtar, jemi mbrojtësit e së drejtës, të së mirës të së ardhmes!

Të rinj, të reja, qytetarë të Vlorës, bashkëmoshatarë, studentë, le të bashkohemi në protestën e madhe të 7 korrikut, për të qënë një përgjigje e madhe qytetare ndaj sektit në pushtet.

Të bashkohemi në sheshin e lirisë, në sheshin e përgjigjes rinore, nën idealin e lirisë për të qënë të fortë dhe të sigurt për të ardhmen tonë.

Zoti e bekoftë rininë! Zoti e bekoftë rrugëtimin tonë demokratik!”