VIDEO-SYRI TV/ 1 milion euro në muaj për Zoton e arratisur, qeveria nxiti krizë të koordinuar për plehrat

Bashkitë në vend i japin kompanisë së Klodian Zotos, 1 milion euro çdo muaj për depozitimin e mbetjeve. Edhe pse Zoto vijon të jetë i arratisur, dhe akuzohet për abuzim qindra miliona euro përmes inceneratorëve, kjo nuk i ka ndalur aspak institucionet publike që të furnizojnë llogaritë bankare të kompanive koncesionare

SYRI TV

Skandali gjigant financiar i inceneratorëve nuk i ka ndalur aspak institucionet publike që të furnizojnë llogaritë bankare të kompanive koncesionare me miliona euro çdo muaj.

“Syri Televizion” publikoi dje një intervistë ekskluzive me Haxhire Gurakuqin, të moshuarën 90-vjeçare që, pa dijeninë e saj, u zgjua një mëngjes si bose inceneratori, nëpërmjet një skeme mashtrimi dhe falsifikimesh nga persona të tjerë.

Të dhënat e publikuara nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, këtë të hënë, hodhën dritë mbi një skemë gjigante evazioni fiskal nëpërmjet kompanive private. Megjithatë, të dhënat dëshmojnë se abuzimi më i madh qëndron tek autoritetet shtetërore, me përfshirjen ose lejimin e tyre.

Në verën e vitit 2021, Durrësi, Shijaku dhe Kavaja u përfshinë në emergjencën mjedisore, pasi qeveria mbylli landfillin e Porto Romanos, pa siguruar më parë një alternative për depozitimin e mbetjeve. Tashmë, një vit pas krizës së koordinuar të plehrave, rezultati është qindra milionë lekë më shumë për koncesionarin privat të Sharrës dhe fatura më të kripura për qytetarët.

Njësitë e qeverisjes lokale u detyruan gjithashtu nga qeveria që të lidhin kontrata aspak favorizuese me kompaninë private të Sharrës, “Integrated Energy BV”.

Për të paguar kostot e depozitimit të mbetjeve, bashkitë u detyruan të shtojnë ndjeshëm tarifat e pastrimit për qytetarët dhe bizneset që gjenden në territorin e tyre.

Skema i siguron kompanisë me drejtor të parë Klodian Zoton fitim më së paku 1 milion euro në muaj vetëm për depozitimin e mbeturinave.

Gjatë muajit të kaluar, bashkitë e Tiranës, Durrësit dhe Kavajës kanë paguar koncesionarin e Sharrës plot 1.2 miliardë lekë të vjetra.

Në këtë shifër nuk llogariten fitimet e kompanisë “Integrated Energy BV” nga depozitimi i dherave prej kompanive të ndërtimit. Në Komisionin Hetimor Parlamentar për inceneratorët u përmend se të ardhurat e koncesionarit nga depozitimi i dherave arrijnë në 40 milionë euro.