Megaskandali 189 milionë dollarë/ Kryemadhi denoncon aferën e rëndë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deklaroi dje se LSI do të pasurojë Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion me informacione të tjera që faktojnë evazionin fiskal të kompanive që kanë marrë koncesionin për inceneratorin e Tiranës.

Gjatë një konference për mediat, Kryemadhi tha se nga shqyrtimi i librave të blerjeve dhe të shitjeve të kompanive të inceneratorëve rezulton se ka kryer në total 30 milionë dollarë evazion fiskal, duke bërë fatura fiktive.

“Ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme, besoj se të gjithë e mbani mend që në nëntor-dhjetor të vitit 2021, ne si LSI i kemi shtuar kallëzimit tonë evazionin fiskal që ka ndodhur me kompanitë e Klodian Zotos. Ç’do të thotë me këtë? Më të gjithë auditimin që ne bëmë apo kontrollin e dokumentacioneve, Klodian Zoto kishte kryer një evazion fiskal mbi 30 milionë dollarë. Siç ndodh që duke vazhduar dhe duke kontrolluar hap pas hapi dokumentacionet, me të gjitha kompanitë me të cilat Klodian Zoto kishte bërë evazion fiskal, ajo çka neve na rezultoi janë rreth 24 kompani, të cilat kanë bërë bashkëveprim financiar shije dhe blerje me kompanitë e inceneratorëve”, tha Kryemadhi.

Por gjatë kërkimit të zbulimit të parregullsive me kompanitë e inceneratorëve, Kryemadhi denoncoi se 24 kompanitë me të cilat është bërë, evazion fiskal kanë kryer edhe kompani të tjera që marrin punë publike dhe marrin koncesione në Shqipëri. Sipas kryetares së LSIsë, vlera totale e faturave fiktive shkon në 189 milionë dollarë.

Nga kontrolli po i librave të shitjeve dhe të blerjes rezulton se kompanitë guaskë blinin fruta ekzotike, ushqime apo ujë të pijshëm dhe shisnin beton, asfalt dhe inerte.

“Duke marrë me detaje të gjitha kompanitë dhe duke i detajuar me fatura me librat e shitjeve, me librat e blerjeve, ajo që kemi kuptuar dhe kemi rezultuar në fund është që evazioni total i këtyre kompanive është 189 milionë dollarë. Në pamje të jashtme, mund të duket si diçka normale që janë 24 kompani që kanë bërë punë të ndershme, që kanë blerë, kanë shitur dhe deri këtu jemi shumë dakord dhe shumë në rregull. Po ju marr rastin e kësaj kompanie, AMPP, e cila ka një xhiro prej 19.5 milionë dollarësh. Duke marrë librin e shitjeve dhe blerjeve rezulton si në çdo biznes atë që ti do të ofrosh si shërbim duhet ta kesh të magazinuar. Ose do të blesh diku tjetër, ose do të prodhosh. Ose do të blesh zhavorr, hekur ose do të jesh fabrikë që prodhon hekurin. Dhe në librin e blerjeve të kësaj kompanie neve na ka rezultuar që kjo kompani ka blerje rreth 18 milionë dollarë produkte. Dhe pjesa më e madhe e produkte të tyre janë ushqime fruta dhe ujë i pijshëm. Dhe përsëri prapë deri këtu shumë në rregull sepse mund të jetë një kompani që furnizon qytetarët shqiptarë në supermarket”, tha Kryemadhi.

Më dyshuese bëhet situata sipas kryetares së LSI-së kur dy pensionistë mbi 90 vjeç bëhen pronarë të kompanive që kanë kryer në total xhiro mbi 35 milionë dollarë. Bëhet fjalë për Thanas Çanin dhe Haxhire Gurakuqin.