‘Dilni sot në protestë në orën 19.00 për fjalën e lirë, korrupsioni nuk mbulohet me ndëshkimin e gazetarëve’

Deputetja e PD-së Albana Vokshi, deklaroi sot, se korrupsioni i qeverisë së Edi Ramës nuk mund të mbulohet me ndëshkimin e gazetarëve duke nënvizuar se është fakt se ministrja Olta Xhaçka ka shkelur Kushtetutën duke përfituar pasuri publike në emër të bashkëshortit dhe po ashtu, është fakt edhe se kumbari i këtij pazari korruptiv është Edi Rama.

Në një deklaratë nga selia e PD-së në mbështetje të protestës së gazetarëve që mbahet sot përpara Kryeministrisë, Vokshi deklaroi:

Sot pasdite, në orën 19.00, komuniteti i gazetarëve ka thirrur një protestë para Kryeministrisë, në mbrojtje të kolegut Klevin Muka, po edhe të së drejtës së ushtrimit të profesionit të çdo gazetari.

Partia Demokratike shpreh mbështetjen e plotë për protestën, dhe u bën thirrje gazetarëve, shoqatave të tyre dhe qytetarëve, që besojnë te shtypi i pavarur dhe liria e fjalës, të solidarizohen dhe t’i bashkohen këtij tubimi.

Protesta bëhet jo vetëm për censurimin e Klevin Mukës, dhuna verbale, censurimi i vazhdueshëm, nuk fillon te ky rast dhe, duke njohur Edi Ramën, as nuk do mbyllet me të.

Ambrozia Meta është një tjetër gazetare e dënuar me “riedukimin” nga kryeministri që nuk e duron dot as fjalën e lirë, as median e lirë, as njerëzit e lirë.

Janë dhjetëra rastet e gazetarëve të sulmuar nga kryeministri Rama për faktin e vetëm se nuk i kanë pëlqyer pyetjet apo konstatimet e faktuara prej tyre.

Korrupsioni i qeverisë së Edi Ramës nuk mund të mbulohet me ndëshkimin e gazetarëve.

Është fakt se Olta Xhaçka ka shkelur kushtetutën duke përfituar pasuri publike në emër të bashkëshortit.

Është fakt se kumbari i këtij pazari korruptiv është Edi Rama.

Më e pakta që duhet të ndodhë është heqja e mandatit të deputetit për Ministren e Jashtme, ndërsa Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nuk duhet të mbyllur sytë dhe veshët, siç po vepron, por të hetojë këtë aferë skandaloze.

Faktet janë të thjeshta dhe të qarta: Olta Xhaçka përdori kunatën e vet për të përfituar pasuri dhe para publike me ndihmën e Edi Ramës.

Të gjitha këto fakte i zbuluan gazetarët. Ashtu siç kanë zbuluar me dhjetëra afera të tjera korruptive të kësaj qeverie.

Prandaj, aktet e Edi Ramës kundër gazetarëve kanë për qëllim mbylljen e gojës së medias për të mos folur për korrupsionin që shoqëron çdo vendim të qeverisë së Edi Ramës.

Kur një gazetar dhe liria e fjalës janë në rrezik, Shqipëria është në rrezik!

Të dashur gazetarë, të dashur qytetarë!

Dilni sot në protestë, në orën 19.00 para Kryeministrisë në mbështetje të fjalës së lirë!

Dilni në protestë sot, nesër dhe çdo ditë!

Dilni në protestë në 7 Korrik!

Shqipëria është në rrezik!

Vetëm së bashku mund ta shpëtojmë vendin tonë për fëmijët tanë!”theksoi Vokshi në përfundim.