Skandali me inceneratorin e Tiranës/ Kryemadhi: Çifti i 95-vjeçarëve bleu biznesin 30 mln USD

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, doli sot në një konferencë për të denoncuar të tjera fakte skandaloze për aferën e inceneratorëve, duke u përqendruar kryesisht te inceneratori i Tiranës.

Kryemadhi tha se janë të paktën 24 kompani, të përfshira në një skemë evazioni fiskal me vlerë prej 189 milionë dollarë.

Kryetarja e LSI tha se këto dokumente autentikë do i dërgohen SPAK.

Në një rast, Kryemadhi tha se një çift 95-vjeçarësh ka blerë një biznes me vlerë 30 milionë dollarë.

“I gjithë sistemi ka funksionuar me një mbikëqyrje perfekte nga kryeministri. Nëse do kishim hetim tatimor, që do hetonte, do shikonte që frutat ekzotike janë shndërruar në asfalt. Të gjithë materialin ia kemi bërë gati prokurorisë së posaçme. Për të 24 kompanitë do të informojmë prokurorinë në mënyrë që ata të mos bëjnë asgjë tjetër, por vetëm të verifikojnë. Të verifikojnë edhe këta 94-95 vjeçarët që kanë blerë biznese 30 milionë dollarë”, tha Kryemadhi.

Duke u ndalur sërish te inceneratori i Tiranës, ajo tha: “Në Ministrinë e Financave ekziston drejtoria e koncesioneve që kontrollon investimin e çdo koncesioni. Qeveria paguan prej 2017 një koncesion të lidhur me kontratë në mënyrë të paligjshme. Kjo drejtori ka për detyrë të investojë ku janë 128 milionë euro investim”.