Kryemadhi: 189 mln USD evazion fiskal nga kompanitë e inceneratorëve

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, publikoi sot të tjera fakte skandaloze mbi aferën e inceneratorëve.

Ajo tha se do depozitojë në SPAK shtesë padie për këtë skandal. Kryemadhi tha se kompanitë e inceneratorëve kanë kryer evazion fiskal në shumën e 189 milionë dollarëve.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryemadhi publikoi një video të bërë dje nga inceneratori i Tiranës, ku sipas saj, janë bërë tre gropa dhe një kodër e mbuluar me dhe.

“Ky është rasti më flagrant, ku kryeministri dhe qeveria janë kapur me presh në dorë. Shihni videon e bërë dje nga inceneratori i Tiranës, ku janë bërë tre gropa dhe një kodër e mbuluar me dhe. Ajo që të bën përshtypje është se aty nuk ka asnjë lloj investimi, që e kemi dëgjuar nga kryeministri.

Ajo që dua të theksoj dhe që është shumë e rëndësishme është se besoj që të gjithë e mbani mend që në dhjetor të 2021, ne si LSI i kemi shtuar kallëzimit tonë evazionin fiskal që ka ndodhur me kompanitë e Klodian Zotos. Neve na rezultoi se Zoto kishte kryer evazion në mbi 30 milionë dollarë. Në periudhë pandemie ai kishte kryer udhëtime jashtë shtetit, kur mbi qiellin shqiptar nuk kishte fluturuar asnjë avion.

Janë rreth 24 kompani, që kanë bërë bashkëveprim financiar, shitje-blerje, me kompanitë e inceneratorëve. Duke marrë në detaje të gjitha kompanitë, kemi kuptuar që evazioni i këtyre kompanive në total është 189 milionë dollarë”, tha Kryemadhi.

“Të gjitha këto dokumente ne do t’ia dorëzojmë SPAK-ut. Frutat janë shkëmbyer me inerte. Ushqimet ,vaji, sheqeri, janë kthyer në asfalt dhe uji i pijshëm në beton. Pjesa më e madhe e këtyre kompanive, për arsye se me këto kompani unë do tregohem pak diskrete, do çohen në SPAK. Kompanitë fiktive shkëmbejnë fatura me njëra-tjetrën. Mund të jenë 8 mln dollarë ujë i pijshëm, 6-7 mln dollarë fruta ekzotike. Janë fatura nën 3 mln lekë që lëvizja të mos bëhet nëpërmjet llogarive bankare".

"Ajo çka të vë dilemë të të gjithë gjërave, është se përveçse nuk kryhet, kompanitë marrin dhe rimbursimin e TVSH-së”, deklaroi Kryemadhi.