Berisha për ‘Ballkanin e Hapur’: Projekt rus! Rama me një foto e bëri Kosovën pjesë të Serbisë

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar këtë të shtunë një bashkëbisedim online me shqiptarët e diasporës. Kryetari i selisë blu teksa komentoi nismën ‘Ballkani i Hapur’, tha se është një projekt që ka influencë ruse.

Ndër të tjera Berisha kujtoi nisjen me mini-shengenin ku theksoi se asokohe Rama publikoi edhe një foto në rrjete sociale ku shfaqej një hartë në të cilën Kosova ishte pjesë e Serbisë.

“U themelua në Novisad para tre vitesh si mini-shengen nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia, aleancë trelaterale. Harta që u paraqit atë ditë, nga kjo trojkë, Vuçiç-Rama-Zaev, paraqiste Kosovën haptaz pjesë të territorit të Serbisë.

Këtë hartë e publikoi në Facebook-un e tij edhe Rama. Më vonë tha se ma publikuan gabimisht asistentët. Ky projekt sipas Vuçiç disa ditë pas samitit të Novisadit, u quajt Jugosllavia e vjetër plus Shqipërinë, rikthim te doktrina apo ideja se Ballkanin e stabilizon hegjemonizmi serb.

Hegjemonizëm që u vendos në dekadën e dytë të shekullit të shkuar dhe përfundoi me luftërat më të përgjakshme të përsëritura në rajon. Për më tepër ky projekt me influencë ruse.”-tha Berisha.