Një në Kavajë e tjetri në Borsh, mbyten dy 66-vjeçarë brenda pak minutash

2 të mbytur në pak minuta në plazhet e vendit. Të dy 66 vjeçarë, një në Borsh dhe tjetri në Kavajë kanë humbur jetën teksa laheshin në det.

I pari dyshohet se ka pësuar infarkt teksa notonte ndërsa për viktimën në Kavajë nuk dihet shkaku.

Njoftimet e policisë

 “Sot, rreth orës 17:33, shtetasit S. M., rreth 66 vjeç, duke notuar në plazhin e Borshit, dyshohet se i ka rënë infarkt dhe për pasojë është mbytur në ujë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, ka njoftuar policia e Himarës.

“Sot, rreth orës 17:40, shtetasi V. N., 66 vjeç, duke notuar në plazhin e Kavajës, dyshohet se është mbytur në ujë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, ka bërë me dije policia e Kavajës.