Çmimet rekord në rajon/ Qeveria 'zotohet': S'prekim taksat për naftën

Shqiptarët do të vijojnë të blejnë naftën dhe benzinën më shtrenjtë se vendet e rajonit. Qeveria nuk ka ndërmend të heq asnjë taksë të vendosur mbi karburantet.

Ministrja Ibrahimaj tha dje se në kohë krizash, ndryshimi i taksimit është politikë e gabuar.

“Ne e kemi deklaruar që në ditën e parë të bordit që nuk janë politika e duhur për çmimet. Nuk ka asnjë të dhëna që bordet kanë përcaktuar çmimet në kundërshtim me ecurinë e çmimeve në bursë. Në asnjë rast vendimmarrja e bordit nuk ka qenë nga ecuria e bursës. Ne kemi bërë një analizë për marzhet bruto të fitimit të kompanive, duke përfshirë edhe kostot operacionale, këtë vit që nga momenti i krijimit të bordit kanë 5 deri në 6%, ndërsa vitin e kaluar ishin 15 deri në 18%. Të dhënat tregojnë qartë për ndikimin e bordit te çmimet, duke përmbajtur nivelin e marzhit bruto apo neto të fitimit. Nuk ka asnjë deklaratë për ndryshim të takave te karburantet. Ne vijojmë t’i qëndrojmë mendimit që në momente krizash, vendimmarrja për ndryshim taksash është më e gabuara”, tha ministrja.

Në mbledhjen e djeshme të Bordit të Transparencës janë caktuar edhe çmimet e reja, të cilat kanë pësuar ulje. Kështu, një litër naftë do të tregtohet me 243 lekë, ndërsa një litër benzinë do të tregtohet 235 lekë.