Harta e re gjyqësore dhe bojkoti i avokatëve, Rama: Këtu vendos vetëm unë

Edi Rama nuk pyet për mendimin ndryshe. Duke komentuar hartën e re gjyqësore dhe bojkotin e avokatëve, Rama është shprehur se do bëhet si thotë ai, dhe nuk ka ndërmend që të pranojë mendim tjetër.

Ja çfarë tha në deklaratën e tij:

Harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon, shumë e thjeshtë. Unë habitem që ka akoma individë dhe grupe individësh që besojnë se me qeverinë që unë drejtoj mund të flitet me gjuhën e bojkoteve, me gjuhën e shfaqjeve të kokëfortësisë pa zë. Ne këtu jemi. Kush ka diçka për të ndarë, e ka shumë të thjeshtë të na kërkojë, të ulemi e të flasim. Por, harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon. Të bojkotojnë sa të duan, kjo nuk ndryshon. Shqipëria nuk mund të mbetet peng i vetvetes dhe i të kaluarës së vet, ku gjithmonë gjërat janë neglizhuar. Shqipëria nuk është Kina, as Amerika, as Franca, as Italia, është një vend shumë i vogël për të pasur zyra dhe institucione të panumërta. Kështu që harta gjyqësore është ajo, është e konsultuar gjatë, e dakordësuar. Kush i bie ndesh, është në të drejtën e vet ta bëjë, por pengmarrja e qytetarëve për të bërë qeverinë që të ndyrshojë qëndrim është pamoralshme, e shëmtuar dhe e padobishme. Përveçse s’ka asnjë shans që të ketë sukses.