VIDEO-FOTO/ Publikohen pamjet pas vrasjes çnjerëzore të çiftit shqiptar në Greqi

Gazeta greke “Protothema” ka publikuar video dhe foto të çiftit shqiptar të vrarë në lagjen Peristeri të Athinës në fillim të muajit shkurt 2017.

Sikurse duket në pamje, janë momentet e para pas krimit të rëndë kur burrë e grua u ekzekutuan me plumb në kokë teksa ishin në gjumë. Ndërkohë, vajza dhe djali i tyre nuk u dëmtuan.

Policia greke ende nuk ka informacion dhe të dhëna rreth autorëve të krimit monstruoz si dhe për shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë.

“Ata që bënë këtë me siguri janë të njohur të çiftit. Është e çuditshme. Ata u futën në shtëpi dhe dolën brenda 10 minutash. Si e dinin dhomën? Ata që e bënë e njihnin çiftin...është shumë e çuditshme”, tha për “Protothema” një i afërm i ngushtë i familjes shqiptare.

Gazeta greke shkruan se familja shqiptare ishte e qetë dhe e klasës punëtore. Djali i tyre ka pësuar goditje të rëndë psikologjike dhe ishte shtruar në spital, ndërsa vajza e re ka lënë shkollën dhe jetën në Greqi, duke u larguar përgjithmonë në Gjermani. Çifti thuhet se janë martuar në vitin 1988, ndërsa të afërm thonë se ata nuk kishin probleme. /SYRI.net/